kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16

Dhjata e Re

1 Korintasve 11 Së Bashku (ALNT)

1. Ndiqni shembullin tim, sikurse edhe unë ndjek shembullin e Krishtit.

Sjellja gjatë adhurimit

2. Ju përgëzoj, se më kujtoni në çdo rast dhe i ruani traditat ashtu siç jua kam dhënë.

3. Por dua ta dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri dhe kreu i Krishtit është Perëndia.

4. Çdo burrë që lutet apo profetizon me kokë mbuluar, turpëron kreun e tij, Krishtin.

5. Çdo grua që lutet apo profetizon me kokë zbuluar, turpëron kreun e saj, burrin, sepse është njëlloj si të kishte rruar kokën.

6. Nëse gruaja nuk mbulon kokën, atëherë le të qethet. Por, nëse për të është turp të qethet a të rruajë kokën, atëherë le ta mbulojë kokën.

7. Burri nuk duhet ta mbulojë kokën, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, ndërsa gruaja është lavdia e burrit.

8. Nuk u krijua burri nga gruaja, por gruaja nga burri.

9. Burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin.

10. Prandaj, për shkak të engjëjve, gruaja duhet të mbajë mbi kokë një shenjë varësie.

11. Megjithatë në jetën tonë me Zotin as burri nuk është i pavarur nga gruaja dhe as gruaja nga burri.

12. Sikurse gruaja u krijua nga burri, ashtu edhe burri lindet nëpërmjet gruas dhe gjithçka vjen nga Perëndia.

13. Gjykoni vetë: A i ka hije gruas t’i lutet Perëndisë pa mbuluar kokën?

14. A nuk na mëson vetë natyra se për burrin është çnderim nëse i mban flokët të gjatë,

15. ndërsa për gruan është nder? Flokët i janë dhënë asaj si mbulesë.

16. Por, nëse ndokush mendon ndryshe për këtë çështje, duhet ta dijë se një zakon të tillë nuk e kemi as ne, e as kishat e Perëndisë.

Parregullsi në Darkën e Zotit

17. Megjithatë, për këto që do t’ju them tani, nuk mund t’ju përgëzoj. Kur ju mblidheni bashkë, kjo ju bën më shumë keq sesa mirë.

18. Së pari, dëgjova se kur mblidheni së bashku në kishë, mes jush ka përçarje dhe pjesërisht e besoj.

19. Njëmend që duhet të ketë edhe ndasi ndër ju, që të duken ata që janë besimtarë të sprovuar.

20. Dëgjoj se kur mblidheni në një vend, nuk mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit.

21. Secili nga ju ha më përpara darkën që ka sjellë me vete dhe, kështu, dikush mbetet i uritur, ndërsa tjetri dehet.

22. A nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo doni të përbuzni kishën e Perëndisë dhe të turpëroni ata që nuk kanë? Çfarë t’ju them? T’ju përgëzoj? Për këtë nuk ju përgëzoj.

Themelimi i Darkës së Zotit

23. Ajo që mora prej Zotit dhe jua dhashë edhe juve është kjo:Zoti Jezu atë natë që po tradhtohej mori bukën,

24. tha lutjen e falënderimit, e theu dhe tha: «Ky është trupi im për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim».

25. Po ashtu, pas darkës, mori edhe kupën dhe tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim. Sa herë që të pini prej saj, bëjeni këtë në përkujtimin tim».

26. Sa herë që hani nga kjo bukë dhe pini nga kjo kupë, ju lajmëroni vdekjen e Zotit derisa të vijë ai.

Pjesëmarrja e padenjë në Darkën e Zotit

27. Prandaj ai që ha bukën e Zotit, apo pi kupën e tij padenjësisht, është fajtor për trupin dhe për gjakun e Zotit.

28. Kështu, secili të shqyrtojë më parë veten dhe pastaj të hajë nga buka dhe të pijë nga kupa.

29. Kush ha dhe kush pi pa e dalluar trupin e Zotit, ha e pi dënimin e vet.

30. Për këtë arsye ka mes jush shumë të dobët, të sëmurë dhe mjaft kanë vdekur.

31. Sepse po të shqyrtojmë veten, nuk do të dënohemi.

32. Kur na gjykon Zoti, na gjykon për të na ndrequr e jo për të na dënuar bashkë me botën.

33. Kështu, o vëllezër, kur të mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit, prisni njëri-tjetrin.

34. Kush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për të marrë gjykimin e Zotit.Të tjerat do t’i rregulloj kur të vij vetë.