Dhjata e Re

1 Gjonit 5:10-21 Së Bashku (ALNT)

10. Ai që beson në Birin e Perëndisë e ka këtë dëshmi. Ai që nuk beson në Perëndinë, e ka bërë atë gënjeshtar, pasi nuk i ka besuar dëshmisë që Perëndia dha për Birin e vet.

11. Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e amshuar dhe kjo jetë është në Birin e tij.

12. Ai që ka Birin, ka jetën. Ai që nuk e ka Birin e Perëndisë, nuk e ka as jetën.

13. Këto gjëra jua shkrova juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, në mënyrë që ta dini se keni jetën e amshuar.

14. Kjo është siguria që kemi para Perëndisë: nëse i kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.

15. Meqenëse e dimë se ai i dëgjon kërkesat tona, atëherë e dimë edhe se do të na plotësohen.

16. Nëse dikush shikon vëllanë e vet të bëjë mëkat që nuk të çon në vdekje, le t’i lutet Perëndisë dhe ai do t’i japë jetë. Këtë e them për ata që nuk bëjnë mëkate që të çojnë në vdekje. Ka edhe mëkat që të çon në vdekje, por nuk ju them të luteni për këtë mëkat.

17. Çdo padrejtësi është mëkat, por ka edhe mëkate që nuk të çojnë në vdekje.

18. E dimë se kush ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton sepse atë e ruan Biri i Perëndisë dhe i ligu nuk mund ta prekë.

19. Ne e dimë se jemi prej Perëndisë dhe se e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.

20. Dimë edhe se Biri i Perëndisë erdhi e na dha dijen për të njohur Perëndinë e vërtetë. Ne jemi të bashkuar me Perëndinë e vërtetë përmes Birit të tij Jezu Krisht. Ky është Perëndia i vërtetë dhe jeta e amshuar.

21. Bijtë e mi, ruani veten nga idhujt.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Gjonit 5