19. Dhe i thanë njëri-tjetrit: "Ja ku po vjen ëndërruesi!
20. Ejani, pra, ta vrasim dhe ta hedhim në një pus; do të themi pastaj që një kafshë e egër e hëngri; kështu do të shohim se ç'përfundim do të kenë ëndrrat e tij".
21. Rubeni i dëgjoi këto dhe vendosi ta shpëtojë nga duart e tyre, dhe tha: "Nuk do ta vrasim".
22. Pastaj Rubeni shtoi: "Mos derdhni gjak, por hidheni në këtë pus të shkretëtirës dhe mos e goditni me dorën tuaj". Thoshte kështu për ta shpëtuar nga duart e tyre dhe për t'ia shpënë të atit.
23. Kur Jozefi arriti pranë vëllezërve të tij, këta e zhveshën nga veshja e tij, nga rroba e gjatë që i arrinte deri te këmbët;
24. pastaj e kapën dhe e hodhën në pus. Por pusi ishte bosh, nuk kishte ujë brenda.
25. Pastaj u ulën për të ngrënë; por, duke ngritur sytë, ata panë një karvan ismaelitësh që vinte nga Galaadi me devetë e tyre të ngarkuara me erëza, balsame dhe mirrë, dhe udhëtonte për t'i çuar në Egjipt.
26. Atëherë Juda u tha vëllezërve të tij: "Ç'dobi do të kemi po të vrasim vëllanë tonë dhe të fshehim gjakun e tij?
27. Ejani, t'ia shesim ismaelitëve dhe të mos e godasë dora jonë, sepse është vëllai ynë, mishi ynë". Dhe vëllezërit e tij e dëgjuan.
28. Ndërsa po kalonin ata tregtarë midianitë, ata e ngritën dhe e nxorën Jozefin jashtë pusit dhe ia shitën ismaelitëve për njëzet monedha argjendi. Dhe këta e shpunë Jozefin në Egjipt.
29. Rubeni u kthye te pusi, por Jozefi nuk ishte më në pus. Atëherë ai i shqeu rrobat e tij.
30. Pastaj u kthye te vëllezërit e tij dhe tha: "Djali nuk është më; po unë, ku do të shkoj unë?".
31. Kështu ata morën rrobën e gjatë të Jozefit, therën një cjap dhe e futën rrobën në gjak.
32. Pastaj e çuan rrobën te babai dhe i thanë: "Kemi gjetur këtë; shiko pak nëse është rroba e birit tënd".
33. Dhe ai e njohu dhe tha: "Është rroba e tim biri, e ka ngrënë ndonjë kafshë e egër; me siguri Jozefin e kanë bërë copë e çikë".
34. Atëherë Jakobi i shqeu rrobat e tij, veshi një grathore dhe mbajti zi për birin e tij shumë ditë.