Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 28:1-16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Atëherë Isaku thiri Jakobin, e bekoi, i dha këtë urdhër dhe i tha: "Mos u marto me një grua nga Kanaani.

2. Çohu, shko në Padan-Aram, në shtëpinë e Bethuelit, i ati i nënës sate, dhe merr për grua një nga bijat e Labanos, vëllait të nënës sate.

3. Perëndia i plotfuqishëm të bekoftë, të bëftë pjellor dhe të shumoftë, në mënyrë që ti të bëhesh një kuvend popujsh,

4. dhe të dhëntë bekimin e Abrahamit ty dhe pasardhësve të tu, në mënyrë që ti të jesh zot i vendit ku banon si i huaj dhe që Perëndia ia fali Abrahamit".

5. Kështu Isaku e nisi Jakobin, që shkoi në Padan-Aram te Labano, biri i Bethuelit, Arameu, i vëllai i Rebekës, nëna e Jakobit dhe e Esaut.

6. Por Esau pa që Isaku kishte bekuar Jakobin dhe e kish nisur në Padan-Aram që të merrte atje një grua por, duke e bekuar, i kishte dhënë këtë urdhër duke thënë: "Mos merr grua nga bijat e Kanaanit";

7. dhe Jakobi i ishte bindur të atit dhe nënës së tij, dhe ishte nisur për në Padan-Aram.

8. Kur Esau u bind se bijat e Kanaanit shiheshin me sy të keq nga Isaku, babai i tij,

9. shkoi tek Ismaeli dhe mori Mahalathin, të bijën e Ismaelit, që ishte biri i Abrahamit, dhe motër e Nebajothit, me qëllim që ajo të bëhej gruaja e tij, përveç grave të tjera që kishte.

10. Dhe Jakobi u nis në Beer-Sheba dhe shkoi në drejtim të Haranit.

11. Arriti në një farë vendi dhe aty kaloi natën, sepse dielli kishte perënduar. Atëherë mori një nga gurët e atij vendi, e vuri nën krye të tij dhe aty ra në gjumë.

12. Dhe pa në ëndërr një shkallë të mbështetur mbi tokë, maja e së cilës prekte qiellin; dhe ja engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin në të.

13. Dhe ja, Zoti ndodhej në majë të saj dhe i tha: "Unë jam Zoti, Perëndia i Abrahamit, babait tënd, dhe Perëndia i Isakut; tokën mbi të cilën je shtrirë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu;

14. dhe pasardhësit e tu do të jenë si pluhur i tokës, dhe ti do të shtrihesh në perëndim dhe në lindje, në veri dhe në jug; dhe tërë familjet e tokës do të bekohen nëpërmjet teje dhe pasardhësve të tu.

15. Dhe ja, unë jam me ty dhe do të të mbroj kudo që të vesh, dhe do të të sjell përsëri në këtë vend; sepse nuk do të të braktis para se të bëj atë që të kam thënë".

16. Atëherë Jakobit i doli gjumi dhe tha: "Me siguri Zoti është në këtë vend dhe unë nuk e dija".

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 28