Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zanafilla 2:4-14 Bibla Shqip (ALBB)

4. Këto janë origjina e qiellit dhe e tokës kur u krijuan, ditën që Zoti Perëndi krijoi tokën dhe qiellin.

5. Nuk kishte ende mbi tokë asnjë shkurrëz në fushë dhe asnjë bar nuk kishte mbirë ende në fushë, sepse Zoti Perëndi nuk kishte hedhur asnjë shi mbi tokën dhe nuk ekzistonte njeriu për të punuar tokën.

6. Por nga toka ngjitej një avull që ujiste tërë sipërfaqen e tokës.

7. Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë.

8. Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar.

9. Pastaj Zoti Perëndi bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t'u ngrënë; në mes të kopshtit gjendeshin edhe pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes.

10. Një lumë dilte nga Edeni për të ujitur kopshtin dhe ndahej në katër rrjedha uji.

11. Emri i lumit të parë është Pishon; është ai që rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka flori;

12. dhe floriri i këtij vendi është i mirë; aty gjenden gjithashtu bdeli dhe guri i oniksit.

13. Emri i lumit të dytë është Gihon, dhe ai rrethon tërë vendin e Kushit.

14. Emri i lumit të tretë është Tigri, dhe është ai që rrjedh në lindje të Asirisë. Lumi i katërt është Eufrati.

Lexoni kapitullin e plotë Zanafilla 2