Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Vajtimet 2:7-17 Bibla Shqip (ALBB)

7. Zoti braktisi altarin e tij, hodhi poshtë shenjtëroren e tij, dorëzoi në dorë të armikut muret e fortesave të tij; ata lartuan britma në shtëpinë e Zotit si në një ditë feste solemne.

8. Zoti vendosi të shkatërrojë muret e bijës së Sionit; vuri litarin, nuk ka hequr dorë nga shkatërrimi; ka bërë të vajtojnë fortesa dhe mure; që të dyja lëngojnë.

9. Portat e tij janë fundosur në dhe; ai ka prishur dhe ka copëtuar shufrat e tyre; mbreti i tij dhe krerët e tij ndodhen midis kombeve; nuk ka më ligj, dhe profetët e tij nuk marrin asnjë vegim nga Zoti.

10. Pleqtë e bijës së Sionit ulen për tokë në heshtje; kanë hedhur pluhur mbi kokën e tyre, kanë ngjeshur trupin me thes; virgjëreshat e Jeruzalemit ulin deri në tokë kokën e tyre.

11. Sytë e mi konsumohen nga të qarat, zorrët e mia drithërohen, mëlçia ime përhapet për tokë për shkak të shkatërrimit të bijës së popullit tim, për ligështimin e fëmijëve dhe të foshnjave në gji në sheshet e qytetit.

12. Ata u kërkonin nënave të tyre: "Ku është gruri dhe vera?", ndërsa po ligështoheshin si të plagosur për vdekje në sheshet e qytetit dhe jepnin shpirt në prehrin e nënave të tyre.

13. Si mund të të jap zemër? Në çfarë do të të ngjas, o bijë e Jeruzalemit? Çfarë gjë do të krahasoj me ty që të të ngushëlloj, o bijë e virgjër e Jeruzalemit? Sepse shkatërrimi yt është i madh si deti; kush mund të të shërojë?

14. Profetët e tu kanë pasur për ty vegime të rreme dhe të paarsyeshme; nuk kanë zbuluar lakuriq paudhësinë tënde që të largojnë robërinë prej teje; ata kanë shqiptuar për ty profeci të rreme dhe mashtruese.

15. Tërë kalimtarët i rrahin duart kundër teje; fërshëllejnë dhe tundin kokën kundër bijës së Jeruzalemit: "Ky qenka qyteti që e quanin "bukuri e përsosur", "gëzimi i tërë tokës"?".

16. Tërë armiqtë e tu hapin gojën kundër teje; fërshëllejnë dhe kërcëllijnë dhëmbët, dhe thonë: "E kemi gëlltitur! Po, kjo është dita që prisnim; arritëm ta shohim".

17. Zoti ka realizuar atë që kishte menduar; ka mbajtur fjalën që kishte dekretuar në ditët e lashta. Ka shkatërruar pa asnjë mëshirë, ka vepruar në mënyrë që armiku të gëzohet me ty, ka lavdëruar fuqinë e kundërshtarëve të tu.

Lexoni kapitullin e plotë Vajtimet 2