Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Vajtimet 2:15-22 Bibla Shqip (ALBB)

15. Tërë kalimtarët i rrahin duart kundër teje; fërshëllejnë dhe tundin kokën kundër bijës së Jeruzalemit: "Ky qenka qyteti që e quanin "bukuri e përsosur", "gëzimi i tërë tokës"?".

16. Tërë armiqtë e tu hapin gojën kundër teje; fërshëllejnë dhe kërcëllijnë dhëmbët, dhe thonë: "E kemi gëlltitur! Po, kjo është dita që prisnim; arritëm ta shohim".

17. Zoti ka realizuar atë që kishte menduar; ka mbajtur fjalën që kishte dekretuar në ditët e lashta. Ka shkatërruar pa asnjë mëshirë, ka vepruar në mënyrë që armiku të gëzohet me ty, ka lavdëruar fuqinë e kundërshtarëve të tu.

18. Zemra e tyre i bërtet Zotit: "O mure të bijës së Sionit, bëni që të derdhen lotët si një përrua ditën e natën. Mos i jepni qetësi vetes, mos paçin çlodhje bebet e syve tuaj.

19. Çohuni, bërtisni natën, në fillim të çdo vigjiljeje. Derdhni si ujë zemrën tuaj përpara fytyrës së Zotit. Ngrini duart në drejtim të tij për jetën e fëmijëve tuaj, që mpaken nga uria në hyrje të të gjitha rrugëve".

20. "Shiko, o Zot, dhe shqyrto. Cilin ke trajtuar në këtë mënyrë? A duhet të hanin gratë frytin e barkut të tyre, fëmijët që përkëdhelnin? A duhet të vriteshin prifti dhe profeti në shenjtëroren e tij?

21. Të vegjlit dhe pleqtë dergjen për tokë nëpër rrugë; virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë rënë nga shpata; ti i ke vrarë ditën e zemërimit tënd, i ke masakruar pa mëshirë.

22. Ti ke mbledhur si për një ditë feste tmerret që më rrethojnë nga çdo anë. Në ditën e zemërimit të Zotit nuk pati as ikanak as të mbetur. Ata që kisha ushqyer me gji dhe që kisha rritur, i shfarosi armiku im".

Lexoni kapitullin e plotë Vajtimet 2