Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Vajtimet 1:11-22 Bibla Shqip (ALBB)

11. Tërë populli i tij psherëtin duke kërkuar bukë; japin gjërat e tyre më të çmuara për ushqim me qëllim që të rifitojnë jetën. "Shiko, o Zot, dhe këqyr sa jam bërë i neveritshëm!".

12. "Asgjë e tillë mos t'ju ndodhë, o ju që kaloni afër. Soditni dhe shikoni, në se ka një dhembje të ngjashme me dhembjen time, ajo që më brengos dhe që Zoti më ka dhënë ditën e zemërimit të tij të zjarrtë.

13. Nga lart ka dërguar një zjarr në kockat e mia, i kaplon ato; ka shtrirë një rrjetë në këmbët e mia, më ka kthyer prapa, më ka shkretuar në kapitjen e ditëve të mia.

14. Nga dora e tij është lidhur zgjedha e shkeljeve të mia, që lidhen bashkë dhe rëndojnë mbi qafën time; më ka pakësuar forcën time; Zoti më ka lënë në duart e atyre të cilëve nuk mund t'u bëj ballë.

15. Zoti ka rrëzuar në mesin tim tërë trimat e mi; ka thirrur kundër meje një kuvend për të shtypur të rinjtë e mi; Zoti ka shtypur si në një butinë bijën e virgjër të Judës.

16. Prandaj unë qaj; sytë e mi, vetë sytë e mi shkrihen ndër lot, sepse ngushëlluesi që do të mund të më jepte përsëri jetën është larg meje. Bijtë e mi janë të dëshpëruar, sepse armiku doli fitimtar".

17. Sioni zgjat duart e tij, por nuk ka njeri që ta ngushëllojë. Për sa i përket Jakobit, Zoti ka urdhëruar që ata që janë rreth tij të bëhen armiq të tij. Jeruzalemi është bërë në mes tyre si një gjë e papastër.

18. Zoti është i drejtë, sepse jam rebeluar kundër fjalës së tij. Dëgjoni, pra, o popuj mbarë, dhe shikoni dhembjen time! Virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë shkuar në robëri.

19. Thirra dashnorët e mi, por ata më kanë mashtruar; priftërinjtë e mi dhe pleqtë e mi nxorën frymën e fundit në qytet, ndërsa kërkonin ushqim për të shpëtuar jetën e tyre.

20. Shiko, o Zot, unë jam në ankth. Zorrët e mia dridhen, zemra ime është e tronditur brenda meje, sepse kam qenë rebele e madhe. Jashtë shpata më la pa bij, në shtëpi është si të jetë vdekje.

21. Më dëgjojnë që psherëtij, askush nuk më ngushëllon. Tërë armiqtë e mi e kanë mësuar fatkeqësinë time dhe janë të kënaqur që ti ke bërë këtë gjë. Ti do të sjellësh ditën që ke lajmëruar, dhe atëherë do të jenë si unë.

22. Le të vijë para teje tërë ligësia e tyre, dhe trajtoi ashtu si më ke trajtuar mua për shkak të të gjitha shkeljeve të mia. Sepse të shumta janë psherëtimat e mia dhe zemra ime lëngon.

Lexoni kapitullin e plotë Vajtimet 1