Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 9:8-18 Bibla Shqip (ALBB)

8. Moisiu iu përgjigj atyre: "Prisni që të dëgjoj çfarë do të urdhërojë Zoti lidhur me ju".

9. Dhe Zoti i foli Moisiut, duke thënë:

10. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Në rast se dikush nga ju ose nga trashëgimtarët tuaj është i papastër për shkak të një trupi të vdekur, apo gjendet larg në udhëtim, do ta kremtojë njëlloj Pashkën për nder Zotit.

11. Do ta kremtojnë ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë në të ngrysur; do të hanë bukë të ndorme dhe barishte të hidhura;

12. nuk do të lënë asnjë tepricë deri në mëngjes dhe nuk do të thyejnë asnjë kockë. Do ta kremtojnë sipas të gjitha statuteve të Pashkës.

13. Por ai që është i pastër dhe nuk është në udhëtim, në rast se nuk e kremton Pashkën, do të shfaroset në mes të popullit të tij, sepse nuk i paraqiti ofertën në kohën e duhur Zotit; ky njeri do të mbajë dënimin e mëkatit të tij.

14. Në rast se një i huaj që banon në mes jush kremton Pashkën e Zotit, ai duhet ta bëjë mbas statuteve dhe dekreteve të Pashkës. Ju do të keni një statut të vetëm për të huajin dhe për atë që ka lindur në vend".

15. Por ditën në të cilën tabernakulli u ngrit, reja mbuloi tabernakullin, perden e dëshmisë; dhe që nga mbrëmja deri në mëngjes reja mbi tabernakullin kishte marrë një pamje zjarri.

16. Kështu ndodhte gjithnjë: reja e mbulonte tabernakullin gjatë ditës dhe natën kishte pamjen e një zjarri.

17. Sa herë që reja ngrihej mbi çadrën, bijtë e Izraelit niseshin për rrugë pas kësaj; dhe aty ku ndalej reja, aty bijtë e Izraelit vendosnin kampin e tyre.

18. Me urdhër të Zotit bijtë e Izraelit nisnin ecjen e tyre dhe me urdhër të tij fushonin; rrinin në kampin e tyre aq kohë sa qëndronte reja mbi tabernakull.

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 9