Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 35:3-16 Bibla Shqip (ALBB)

3. Dhe ata do të kenë qytete për të banuar, ndërsa kullotat do t'u shërbejnë për bagëtinë e tyre dhe për të gjitha kafshët e tyre.

4. Kullotat e qyteteve që do t'u jepni levitëve do të shtrihen nga muret e qyteteve e tutje, një mijë kubitë, rreth e qark.

5. Do të masni, pra, jashtë qytetit dy mijë kubitë nga ana e lindjes, dy mijë kubitë nga ana e jugut, dy mijë kubitë nga ana perëndimore dhe dy mijë kubitë nga ana veriore; qyteti do të ndodhet në mes. Këto janë tokat për kullotë rreth qyteteve që do t'u përkasin levitëve.

6. Ndër qytetet që do t'u jepni levitëve do të caktoni qytete strehimi, në të cilat mund të gjejë strehim ai që ka vrarë dikë; dhe këtyre qyteteve do t'u shtoni dyzet e dy qytete të tjera.

7. Gjithsej qytetet që do t'u jepni levitëve do të jenë, pra, dyzet e tetë bashkë me tokat për kullotë.

8. Qytetet që do t'u jepni levitëve do të rrjedhin nga pronësia e bijve të Izraelit; nga fiset më të mëdha do të merrni më shumë, nga fiset më të vogla do të merrni më pak; çdo fis do t'u japë levitëve ndonjë nga qytetet e tij, në përpjesëtim me trashëgiminë që do t'i takojë".

9. Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

10. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur të kaloni Jordanin për të hyrë në vendin e Kanaanit,

11. do të caktoni disa qytete që do të jenë për ju qytete strehimi, ku mund të ikë vrasësi që ka vrarë dikë pa dashje.

12. Këto qytete do t'ju shërbejnë si vende strehimi kundër hakmarrësve, që vrasësi të mos vritet para se të ketë dalë në gjyq përpara asamblesë.

13. Nga qytetet që do të jepni, gjashtë do të jenë, pra, qytete strehimi.

14. Do të jepni tri qytete në pjesën në lindje të Jordanit dhe tri qytete në vendin e Kanaanit; këto do të jenë qytete strehimi.

15. Këto gjashtë qytete do të shërbejnë si vende strehimi për bijtë e Izraelit, për të huajin dhe për atë që banon midis jush, me qëllim që ai që ka vrarë dikë pa dashje të mund të strehohet.

16. Por në rast se dikush godet një tjetër me një vegël hekuri dhe ky vdes, ai person është vrasës dhe si i tillë do të vritet.

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 35