kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28
  29. 29
  30. 30
  31. 31
  32. 32
  33. 33
  34. 34
  35. 35
  36. 36

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 35 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zoti i foli akoma Moisiut në fushat e Moabit pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos, dhe i tha:

2. "Urdhëro bijtë e Izraelit që, nga trashëgimia që do të zotërojnë, t'u japin levitëve disa qytete për të banuar, do t'u jepni gjithashtu kullota rreth qyteteve.

3. Dhe ata do të kenë qytete për të banuar, ndërsa kullotat do t'u shërbejnë për bagëtinë e tyre dhe për të gjitha kafshët e tyre.

4. Kullotat e qyteteve që do t'u jepni levitëve do të shtrihen nga muret e qyteteve e tutje, një mijë kubitë, rreth e qark.

5. Do të masni, pra, jashtë qytetit dy mijë kubitë nga ana e lindjes, dy mijë kubitë nga ana e jugut, dy mijë kubitë nga ana perëndimore dhe dy mijë kubitë nga ana veriore; qyteti do të ndodhet në mes. Këto janë tokat për kullotë rreth qyteteve që do t'u përkasin levitëve.

6. Ndër qytetet që do t'u jepni levitëve do të caktoni qytete strehimi, në të cilat mund të gjejë strehim ai që ka vrarë dikë; dhe këtyre qyteteve do t'u shtoni dyzet e dy qytete të tjera.

7. Gjithsej qytetet që do t'u jepni levitëve do të jenë, pra, dyzet e tetë bashkë me tokat për kullotë.

8. Qytetet që do t'u jepni levitëve do të rrjedhin nga pronësia e bijve të Izraelit; nga fiset më të mëdha do të merrni më shumë, nga fiset më të vogla do të merrni më pak; çdo fis do t'u japë levitëve ndonjë nga qytetet e tij, në përpjesëtim me trashëgiminë që do t'i takojë".

9. Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

10. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur të kaloni Jordanin për të hyrë në vendin e Kanaanit,

11. do të caktoni disa qytete që do të jenë për ju qytete strehimi, ku mund të ikë vrasësi që ka vrarë dikë pa dashje.

12. Këto qytete do t'ju shërbejnë si vende strehimi kundër hakmarrësve, që vrasësi të mos vritet para se të ketë dalë në gjyq përpara asamblesë.

13. Nga qytetet që do të jepni, gjashtë do të jenë, pra, qytete strehimi.

14. Do të jepni tri qytete në pjesën në lindje të Jordanit dhe tri qytete në vendin e Kanaanit; këto do të jenë qytete strehimi.

15. Këto gjashtë qytete do të shërbejnë si vende strehimi për bijtë e Izraelit, për të huajin dhe për atë që banon midis jush, me qëllim që ai që ka vrarë dikë pa dashje të mund të strehohet.

16. Por në rast se dikush godet një tjetër me një vegël hekuri dhe ky vdes, ai person është vrasës dhe si i tillë do të vritet.

17. Dhe në rast se e godet me një gur që kishte në dorë, që mund të shkaktojë vdekjen, dhe i godituri vdes, ai person është vrasës; vrasësi do të vritet.

18. Ose në rast se godet me një vegël druri që kishte në dorë, dhe që mund të shkaktojë vdekjen, dhe i godituri vdes, ky person është vrasës; vrasësi do të vritet.

19. Do të jetë vetë hakmarrësi i gjakut ai që do ta vrasë vrasësin; kur do ta takojë, do ta vrasë.

20. Në rast se dikush i jep një të shtyrë një personi tjetër sepse e urren apo e qëllon me diçka me dashje, dhe ai vdes,

21. ose e godet për armiqësi me dorën e vet dhe ai vdes, ai që ka goditur do të vritet; ai është vrasës; hakmarrësi i gjakut do ta vrasë vrasësin kur do ta takojë.

22. Por në rast se në një moment i jep një të shtyrë pa armiqësi, ose e qëllon me diçka, por pa dashje,

23. ose, pa e parë, shkakton që t'i bjerë mbi trup një gur që mund të shkaktojë vdekjen, dhe ai vdes, pa qenë ai armiku i tij ose që kërkon të keqen e tij,

24. atëherë asambleja do të gjykojë midis atij që ka goditur dhe hakmarrësit të gjakut në bazë të këtyre rregullave.

25. Asambleja do ta lirojë vrasësin nga dora e hakmarrësit të gjakut dhe do ta lejojë të shkojë në qytetin e strehimit ku kishte ikur, dhe ai do të banojë atje derisa të vdesë kryeprifti që është vajosur me vaj të shenjtëruar.

26. Por në rast se vrasësi në çfarëdo kohe del jashtë kufijve të qytetit të strehimit ku kishte ikur,

27. dhe hakmarrësi i gjakut e gjen vrasësin jashtë kufijve të qytetit të strehimit dhe e vret, hakmarrësi i gjakut nuk do të jetë fajtor për gjakun e derdhur,

28. sepse vrasësi duhet të kishte mbetur në qytetin e tij të strehimit derisa të vdiste kryeprifti; mbas vdekjes së kryepriftit, vrasësi mund të kthehet në tokën që është pronë e tij.

29. Këto le t'ju shërbejnë si rregulla të së drejtës për të gjithë brezat tuaja, kudo që të banoni.

30. Në qoftë se dikush vret një person, vrasësi do të vritet në bazë të deponimit të dëshmitarëve; por nuk do të dënohet askush në bazë të deponimit të një dëshmitari të vetëm.

31. Nuk do të pranoni asnjë çmim për shpengimin e jetës së një vrasësi që është dënuar me vdekje, sepse ai duhet të vritet.

32. Nuk do të pranoni asnjë çmim për shpengimin e një vrasësi që ka ikur në qytetin e tij të strehimit, me qëllim që të kthehet të banojë në tokën e tij para vdekjes së kryepriftit.

33. Nuk do të ndotni vendin ku jetoni, sepse gjaku ndot vendin; nuk mund të bëhet asnjë shlyerje për vendin, për gjakun që është derdhur në të veçse me anë të gjakut të atij që e ka derdhur.

34. Nuk do të ndotni, pra, vendin ku banoni, dhe në mes të të cilit banoj edhe unë, sepse unë jam Zoti që banon midis bijve të Izraelit.