Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 35:18-30 Bibla Shqip (ALBB)

18. Ose në rast se godet me një vegël druri që kishte në dorë, dhe që mund të shkaktojë vdekjen, dhe i godituri vdes, ky person është vrasës; vrasësi do të vritet.

19. Do të jetë vetë hakmarrësi i gjakut ai që do ta vrasë vrasësin; kur do ta takojë, do ta vrasë.

20. Në rast se dikush i jep një të shtyrë një personi tjetër sepse e urren apo e qëllon me diçka me dashje, dhe ai vdes,

21. ose e godet për armiqësi me dorën e vet dhe ai vdes, ai që ka goditur do të vritet; ai është vrasës; hakmarrësi i gjakut do ta vrasë vrasësin kur do ta takojë.

22. Por në rast se në një moment i jep një të shtyrë pa armiqësi, ose e qëllon me diçka, por pa dashje,

23. ose, pa e parë, shkakton që t'i bjerë mbi trup një gur që mund të shkaktojë vdekjen, dhe ai vdes, pa qenë ai armiku i tij ose që kërkon të keqen e tij,

24. atëherë asambleja do të gjykojë midis atij që ka goditur dhe hakmarrësit të gjakut në bazë të këtyre rregullave.

25. Asambleja do ta lirojë vrasësin nga dora e hakmarrësit të gjakut dhe do ta lejojë të shkojë në qytetin e strehimit ku kishte ikur, dhe ai do të banojë atje derisa të vdesë kryeprifti që është vajosur me vaj të shenjtëruar.

26. Por në rast se vrasësi në çfarëdo kohe del jashtë kufijve të qytetit të strehimit ku kishte ikur,

27. dhe hakmarrësi i gjakut e gjen vrasësin jashtë kufijve të qytetit të strehimit dhe e vret, hakmarrësi i gjakut nuk do të jetë fajtor për gjakun e derdhur,

28. sepse vrasësi duhet të kishte mbetur në qytetin e tij të strehimit derisa të vdiste kryeprifti; mbas vdekjes së kryepriftit, vrasësi mund të kthehet në tokën që është pronë e tij.

29. Këto le t'ju shërbejnë si rregulla të së drejtës për të gjithë brezat tuaja, kudo që të banoni.

30. Në qoftë se dikush vret një person, vrasësi do të vritet në bazë të deponimit të dëshmitarëve; por nuk do të dënohet askush në bazë të deponimit të një dëshmitari të vetëm.

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 35