Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 18:7-19 Bibla Shqip (ALBB)

7. Por ti dhe bijtë e tu do të ushtroni priftërinë tuaj për të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me altarin dhe që ndodhen matanë velit; dhe do të kryeni shërbimin tuaj. Unë ju jap priftërinë tuaj si një dhuratë për shërbimin, por i huaji që do të afrohet do të vritet".

8. Zoti i foli akoma Aaronit, duke i thënë: "Ja, unë të besoj kujdesin e ofertave të mia të larta, të të gjitha gjërave të shenjtëruara të bijve të Izraelit; t'i jap ty dhe bijve të tu si një statut të përjetshëm për shkak të vajosjes suaj.

9. Kjo do të të takojë nga gjërat shumë të shenjta të pakonsumuara në zjarr: të gjitha ofertat e tyre, domethënë çdo blatim ushqimor, çdo flijim për mëkatin dhe çdo flijim për shkeljen e bërë që do të më paraqesin, janë gjëra shumë të shenjta që të përkasin ty dhe bijve të tu.

10. Do t'i hash në vend shumë të shenjtë; do t'i hajë çdo mashkull; do të jenë për ty gjëra të shenjta.

11. Do të të përkasin ty edhe këto: dhuratat që bijtë e Izraelit do të paraqesin për ngritje dhe të gjitha ofertat e tyre të tundura; unë t'i jap ty, bijve të tu dhe bijave të tua, si një statut i përjetshëm. Kushdo që është i pastër në shtëpinë tënde mund t'i hajë.

12. Pjesa më e mirë e vajit, e mushtit dhe e grurit, prodhimet e para që i japin Zotit, unë t'i jap ty.

13. Prodhimet e para të të gjitha gjërave që prodhon toka dhe që ata i paraqesin Zotit, do të jenë tuajat. Kushdo që është i pastër në shtëpinë tënde mund t'i hajë.

14. Çdo gjë e shenjtëruar në Izrael do të jetë jotja.

15. Çdo pjellje e parë e çdo mishi që ata do t'i ofrojnë Zotit, qoftë të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, do të jetë jotja; por me siguri do të shpengosh të parëlindurin e njeriut dhe do të shpengosh pjelljen e parë të kafshëve të papastra.

16. Dhe ata që duhet të shpengosh, do t'i shpengosh në moshën një muajsh, sipas vlerësimit tënd, për pesë sikla argjendi, sipas siklit të shenjtërores, që është njëzet gere.

17. Por nuk do të shpengosh pjelljen e parë të lopës, të deles dhe të dhisë; janë gjëra të shenjta; do të spërkatësh gjakun e tyre mbi altarin dhe do të tymosësh dhjamin e tyre si flijim i bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin.

18. Mishi i tyre do të jetë yti; do të jetë yti si gjoksi i ofertës së tundur ashtu dhe kofsha e djathtë.

19. Unë të jap ty, bijve dhe bijave të tua bashkë me ty, si statut të përjetshëm, të gjitha ofertat e larta të gjërave të shenjta që bijtë e Izraelit i paraqesin Zotit. Është një besëlidhje e kripës dhe e përjetshme përpara Zotit, për ty dhe për pasardhësit e tu".

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 18