Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 18:16-32 Bibla Shqip (ALBB)

16. Dhe ata që duhet të shpengosh, do t'i shpengosh në moshën një muajsh, sipas vlerësimit tënd, për pesë sikla argjendi, sipas siklit të shenjtërores, që është njëzet gere.

17. Por nuk do të shpengosh pjelljen e parë të lopës, të deles dhe të dhisë; janë gjëra të shenjta; do të spërkatësh gjakun e tyre mbi altarin dhe do të tymosësh dhjamin e tyre si flijim i bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin.

18. Mishi i tyre do të jetë yti; do të jetë yti si gjoksi i ofertës së tundur ashtu dhe kofsha e djathtë.

19. Unë të jap ty, bijve dhe bijave të tua bashkë me ty, si statut të përjetshëm, të gjitha ofertat e larta të gjërave të shenjta që bijtë e Izraelit i paraqesin Zotit. Është një besëlidhje e kripës dhe e përjetshme përpara Zotit, për ty dhe për pasardhësit e tu".

20. Zoti i tha akoma Aaronit: "Ti nuk do të kesh asnjë trashëgimi në vendin e tyre dhe nuk do të kesh pjesë në mes tyre; unë jam pjesa jote dhe trashëgimia jote në mes të bijve të Izraelit.

21. Ja, bijve të Levit unë u lë si trashëgim të gjitha të dhjetat në Izrael në këmbim të shërbimit që kryejnë, shërbimin e çadrës së mbledhjes.

22. Dhe bijtë e Izraelit nuk do t'i afrohen më çadrës së mbledhjes, përndryshe do të ngarkoheshin me një mëkat dhe do të vdisnin.

23. Shërbimin në çadrën e mbledhjes do ta bëjnë vetëm levitët; dhe këta do të mbajnë barrën e paudhësive të tyre; do të jetë një statut i përjetshëm për gjithë brezat tuaj; dhe nuk do të kenë asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit;

24. sepse unë u jap si trashëgimi levitëve të dhjetat që bijtë e Izraelit do t'i paraqesin Zotit si një ofertë të lartë; prandaj u thashë atyre: "Nuk do të kenë asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit"".

25. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

26. "Folu levitëve dhe u thuaj atyre: Kur do të merrni nga bijtë e Izraelit të dhjetat që unë ju jap nga ana e tyre si trashëgiminë tuaj, do t'i bëni një ofertë të lartë Zotit, një të dhjetën e së dhjetës;

27. dhe oferta juaj e lartë do t'ju llogaritet si gruri që vjen nga lëmi dhe si bollëku i mushtit të butit.

28. Kështu edhe ju do t'i bëni një ofertë të lartë Zotit nga të gjitha të dhjetat që do të merrni nga bijtë e Izraelit, dhe nga ato do të jepni ofertën e lartë të Zotit priftit Aaron.

29. Nga të gjitha gjërat që ju kanë dhuruar, do t'i ofroni ofertën e lartë Zotit, nga pjesa më e mirë, pjesën e shenjtëruar.

30. Prandaj do t'u thuash atyre: "Kur të keni ofruar më të mirën, ajo që mbetet do t'u llogaritet levitëve si prodhim i lëmit dhe si prodhim i mushtit të butit.

31. Mund ta hani në çfarëdo vend, ju dhe familja juaj, sepse është shpërblimi juaj për shërbimin tuaj në çadrën e mbledhjes.

32. Kështu nuk do të jeni fajtorë të asnjë mëkati, sepse keni ofruar gjërat më të mira; por nuk do të përdhosni gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, përndryshe do të vdisni"".

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 18