Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 9:12-28 Bibla Shqip (ALBB)

12. Pastaj Zoti më tha: "Çohu, zbrit me të shpejtë që këtej, sepse populli yt që ti nxore nga Egjipti është shthurur; kanë devijuar shpejt nga rruga që unë u kisha urdhëruar atyre të ndiqnin dhe kanë krijuar një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë".

13. Zoti më foli akoma, duke thënë: "Unë e pashë këtë popull; ja ai është një popull kokëfortë;

14. lë që ta shkatërroj dhe të fshij emrin e tij nën qiejt, dhe do të të bëj ty një komb më të fuqishëm dhe më të madh se ai".

15. Kështu u ktheva dhe zbrita nga mali, ndërsa mali digjej nga zjarri; dhe dy pllakat e besëlidhjes ishin në duart e mia.

16. Shikova, dhe ja, ju kishit mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj, dhe kishit bërë një viç prej metali të shkrirë. Kishit lënë shumë shpejt rrugën që Zoti ju kishte urdhëruar të ndiqnit.

17. Atëherë i kapa dy pllakat, i flaka me duart e mia dhe i copëtova para syve tuaja.

18. Pastaj u shtriva përpara Zotit, si herën e parë, dyzet ditë dhe dyzet net me radhë; nuk hëngra bukë as piva ujë për shkak të mëkateve që kishit kryer, duke bërë atë që është e keqe për sytë e Zotit, për të provokuar zemërimin e tij.

19. Sepse unë kisha frikë nga zemërimi dhe nga tërbimi me të cilët Zoti ishte ndezur kundër jush, aq sa dëshironte shkatërrimin tuaj. Por Zoti edhe këtë herë më dëgjoi.

20. Dhe Zoti u zemërua shumë gjithashtu kundër Aaronit, aq sa donte ta shkatërronte atë; kështu atë herë unë u luta edhe për Aaronin.

21. Pastaj mora objektin e mëkatit tuaj, viçin që kishit bërë, e dogja në zjarr, e copëtova dhe e thërrmova në copa shumë të vogla, derisa e katandisa në pluhur të hollë, dhe e hodha pluhurin në përruan që zbret nga mali.

22. Edhe në Taberah, në Masa dhe në Kibroth-Atavah ju provokuat zemërimin e Zotit.

23. Kur pastaj Zoti ju nisi jashtë Kadesh-Barneas duke thënë: "Ngjituni dhe shtini në dorë vendin që ju dhashë", ju ngritët krye kundër Zotit, Perëndisë tuaj, nuk i besuat dhe nuk iu bindët zërit të tij.

24. U bëtë rebelë kundër Zotit, qysh nga dita që ju kam njohur.

25. Kështu mbeta përmbys para Zotit dyzet ditë dhe dyzet net; dhe e bëra këtë sepse Zoti kishte thënë se donte t'ju shkatërronte.

26. Dhe iu luta Zotit, dhe i thashë: "O Zot, o Zot, mos e shkatërro popullin tënd dhe trashëgiminë tënde, që i ke çliruar me madhështinë tënde, që i nxore nga Egjipti me një dorë të fuqishme.

27. Kujto shërbëtorët e tu: Abrahamin, Isakun dhe Jakobin; mos shiko kokëfortësinë e këtij populli, ligësinë ose mëkatin e tij,

28. me qëllim që vendi prej ku i nxore të mos thotë: Me qenë se Zoti nuk ishte në gjendje t'i fuste në tokën që u kishte premtuar dhe me qenë se i urrente, i nxori që të vdesin në shkretëtirë.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 9