1. Fjala e Zotit që iu drejtua Joelit, birit të Pethuelit.
2. Dëgjoni këtë, o pleq, dëgjoni, ju të gjithë banorë të vendit. A ka ndodhur vallë një gjë e tillë në ditët tuaja apo në ditët e etërve tuaj?
3. Tregojani bijve tuaj, dhe bijtë tuaj bijve të tyre, dhe bijtë e tyre brezit tjetër.
4. Atë që la krimbi e hëngri karkaleci, atë që la karkaleci e hëngri larva e karkalecit, atë që la larva e hëngri bulkthi.
5. Zgjohuni, o të dehur, dhe qani; vajtoni ju të gjithë, që pini verë, për mushtin që ju hoqën nga goja.
6. Sepse një komb i fortë dhe i panumërt ka dalë kundër vendit tim. Dhëmbët e tij janë dhëmbë luani, dhe ka stërdhëmbë luaneshe.
7. Ka shkatërruar hardhinë time, e ka bërë copë-copë fikun tim, ia ka hequr lëvoren krejt dhe e ka hedhur tutje; degët e tij kanë mbetur të bardha.
8. Vajto si një virgjëreshë e veshur me thes për dhëndrin e rinisë së saj.
9. Nga shtëpia e Zotit janë zhdukur ofertat e ushqimit dhe libacionet; priftërinjtë, ministrat e Zotit, pikëllohen.