Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jobi 10:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim!

2. Do t'i them Perëndisë: "Mos më dëno! Bëmë të ditur pse grindesh me mua.

3. A të duket mirë të shtypësh, të përçmosh veprën e duarve të tua dhe të tregohesh në favor të qëllimeve të njerëzve të këqij?

4. A ke sy prej mishi, apo shikon edhe ti si shikon njeriu?

5. A janë vallë ditët e tua si ditët e një të vdekshmi, vitet e tua si ditët e një njeriu,

6. sepse ti duhet të hetosh lidhur me fajin tim dhe të kërkosh mëkatin tim,

7. megjithëse e di që nuk jam fajtor dhe që nuk ka njeri që mund të më çlirojë nga dora jote?

8. Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë por tani ti kërkon të më zhdukësh.

9. Mbaj mend, të lutem, që më ke modeluar si argjila, dhe do të më bësh të kthehem në pluhur!

10. A nuk më ke derdhur vallë si qumështi dhe më ke piksur si djathi?

11. Ti më ke veshur me lëkurë dhe me mish, më ke thurur me kocka dhe me nerva.

12. Më ke dhënë jetë dhe dashamirësi, dhe përkujdesja jote është kujdesur për frymën time,

13. por këto gjëra i fshihje në zemrën tënde; tani unë e di që ti mendoje një gjë të tillë.

14. Në qoftë se mëkatoj, ti më ndjek me sy dhe nuk më lë të pandëshkuar për fajin tim.

Lexoni kapitullin e plotë Jobi 10