Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 7:22-33 Bibla Shqip (ALBB)

22. Sepse unë nuk u fola etërve tuaj dhe nuk u dhashë atyre asnjë urdhër, kur bëra që të dalin nga vendi i Egjiptit, për sa u përket holokausteve dhe flijimeve;

23. por këtë urdhër u dhashë: "Dëgjoni zërin tim, dhe unë do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im; ecni në të gjitha rrugët që ju kam urdhëruar, që të jeni të lumtur".

24. Por ata nuk dëgjuan as ma vunë veshin, por ecën sipas këshillave dhe kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe, dhe shkuan prapa dhe jo përpara.

25. Nga dita në të cilën etërit tuaj dolën nga vendi i Egjiptit e deri më sot, ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët çdo ditë me urgjencë dhe insistim.

26. Por ata nuk më kanë dëgjuar as ma vunë veshin, por e fortësuan zverkun e tyre dhe u sollën më keq se etërit e tyre.

27. Prandaj ti do t'u thuash atyre tërë këto gjëra, por ata nuk do të dëgjojnë; do t'i thërrasësh, por nuk do të përgjigjen.

28. Kështu do t'u thuash atyre: "Ky është kombi që nuk dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë së tij, dhe as pranon korrigjim; e vërteta është zhdukur dhe është eliminuar nga goja e tyre".

29. Pri flokët dhe hidhi tutje, nise vajtimin mbi lartësitë, sepse Zoti ka hedhur poshtë dhe e ka braktisur brezin e zemërimit të tij.

30. Bijtë e Judës kanë bërë atë që është e keqe për sytë e mi", thotë Zoti. "Kanë vendosur veprimet e tyre të neveritshme në tempullin ku përmendet emri im, për ta ndotur.

31. Kanë ndërtuar vende të larta të Tofetit, që është në luginën e birit të Hinomit, për të djegur në zjarr bijtë e tyre dhe bijat e tyre, gjë që nuk e kisha urdhëruar dhe që nuk më kishte shkuar kurrë në mendje.

32. Prandaj ja, vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat nuk do të quhet më "Tofet" as "Lugina e birit të Hinomit", por "Lugina e masakrës", dhe do të varrosen të vdekurit në Tofet, sepse nuk do të ketë vend gjetiu.

33. Kufomat e këtij populli do të bëhen kështu ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës, dhe askush nuk do t'i trembë.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 7