kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28
  29. 29
  30. 30
  31. 31
  32. 32
  33. 33
  34. 34
  35. 35
  36. 36
  37. 37
  38. 38
  39. 39
  40. 40
  41. 41
  42. 42
  43. 43
  44. 44
  45. 45
  46. 46
  47. 47
  48. 48
  49. 49
  50. 50
  51. 51
  52. 52
  53. 53
  54. 54
  55. 55
  56. 56
  57. 57
  58. 58
  59. 59
  60. 60
  61. 61
  62. 62
  63. 63
  64. 64
  65. 65
  66. 66

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 9 Bibla Shqip (ALBB)

1. Por errësira nuk do të zgjasë gjithnjë mbi atë që tani është në ankth. Ashtu si në të kaluarën ai mbuloi me turp vendin e Zabulonit dhe vendin e Neftalit, kështu në të ardhmen do ta mbulojë

2. Populli që ecte në terr pa një dritë të madhe; mbi ata që banonin në vendin e hijes së vdekjes doli një dritë.

3. Ti e ke rritur kombin, ke shtuar gëzimin e tyre; ata gëzohen para teje ashtu si gëzohet dikush në korrje dhe ashtu si gëzohet kur ndahet plaçka e luftës.

4. Sepse ti ke thyer zgjedhën që rëndonte mbi të, shkopin mbi kurrizin e tij dhe shufrën e atij që e shtypte, si në ditën e Midianit.

5. Sepse çdo këpucë luftëtari në përleshje dhe çdo mantel i rrëkëllyer në gjak, do të caktohet të digjet dhe do të jetë eshkë zjarri.

6. Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.

7. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar me anë të mençurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive.

8. Zoti ka dërguar një fjalë kundër Jakobit dhe ajo ka rënë mbi Izraelin.

9. Tërë populli do ta njohë, Efraimi dhe banorët e Samarias, që në kryelartësinë e tyre dhe arrogancën e zemrës së tyre thonë:

10. "Tullat kanë rënë, por do ta rindërtojmë me gurë të latuar; fiqtë e Egjiptit janë prerë, por ne do t'i zëvendësojmë me cedra".

11. Për këtë Zoti do të nxisë kundër tij kundërshtarët e Retsinit dhe do të nxisë armiqtë e tij:

12. Sirët nga lindja, filistenjtë nga perëndimi, që do ta hanë Izraelin gojëhapur. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

13. Megjithatë populli nuk kthehet tek ai që e godet dhe nuk kërkon Zotin e ushtrive.

14. Prandaj Zoti do t'i presë Izraelit kokë dhe bisht, degë palme dhe xunkth brenda një dite të vetme.

15. Plaku dhe njeriu nga parësia janë koka; dhe profeti që u mëson të tjerëve gënjeshtra është bishti.

16. Ata që udhëheqin këtë popull e bëjnë të shkojë në rrugë të gabuar, dhe ata që udhëhiqen prej tyre i përpijnë.

17. Prandaj Zoti nuk do të kënaqet me të rinjtë e tij dhe as do t'i vijë keq për jetimët e tij dhe gratë e veja të tij, sepse të gjithë janë hipokritë dhe të çoroditur, dhe çdo gojë thotë marrëzira. Për tërë këto gjëra zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

18. Sepse ligësia djeg si një zjarr, që përpin ferra dhe gjemba dhe flakëron në pjesën e dendur të pyllit, që ngrihet lart si një shtyllë tymi.

19. Për shkak të zemërimit të Zotit të ushtrive vendi digjet dhe populli është si eshkë për zjarrin; askujt nuk i vjen keq për vëllanë e vet.

20. Këputet nga e djathta, por uria vazhdon; gëlltitet nga e majta, por pa u ngopur; secili përpin mishin e krahut të vet.

21. Manasi përpin Efraimin, dhe Efraimi Manasin; dhe tok janë kundër Judës. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.