kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28
  29. 29
  30. 30
  31. 31
  32. 32
  33. 33
  34. 34
  35. 35
  36. 36
  37. 37
  38. 38
  39. 39
  40. 40
  41. 41
  42. 42
  43. 43
  44. 44
  45. 45
  46. 46
  47. 47
  48. 48
  49. 49
  50. 50
  51. 51
  52. 52
  53. 53
  54. 54
  55. 55
  56. 56
  57. 57
  58. 58
  59. 59
  60. 60
  61. 61
  62. 62
  63. 63
  64. 64
  65. 65
  66. 66

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 42 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Ja shërbëtori im, që unë përkrah, i zgjedhuri im që më kënaq shpirtin. Kam vënë Frymën time mbi të; ai do t'ju sjellë drejtësinë kombeve.

2. Nuk do të bërtasë, nuk do ta ngrejë zërin, nuk do të bëjë të dëgjohet zëri i tij nëpër rrugë.

3. Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës.

4. Ai nuk do të ligështohet dhe nuk do të dekurajohet; derisa të vendosë drejtësinë mbi tokë; dhe ishujt do të presin ligjin e tij".

5. Kështu thotë Perëndia, Zoti, që ka krijuar qiejt dhe i ka shpalosur, që ka shtruar tokën dhe gjërat që ajo prodhon, që i jep frymëmarrje popullit dhe jetë atyre që ecin në të:

6. "Unë, Zoti, të kam thirrur sipas drejtësisë dhe do të të zë për dore, do të të ruaj dhe do të bëj aleancën e popullit dhe dritën e kombeve,

7. për t'u hapur sytë të verbërve, për të nxjerrë nga burgu të burgosurit dhe ata që dergjen në terr.

8. Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t'i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura.

9. Ja, gjërat e mëparshme kanë ndodhur, dhe tani po ju njoftoj gjëra të reja; unë jua bëj të njohura para se të mbijnë".

10. I këndoni Zotit një kantik të ri, lëvdimin e tij nga skajet e tokës, o ju që zbrisni në det, dhe atë që ai përmban, ishujt dhe banorët e tyre.

11. Shkretëtira dhe qytetet e tij të lartojnë zërin e tyre, bashkë me fshatrat në të cilat banojnë ata të Kedarit. Le të ngazëllojnë banorët e Selas, le të lëshojnë britma nga maja e maleve.

12. Le t'i japin lavdi Zotit, le ta shpallin lëvdimin e tij në ishuj.

13. Zoti do të shkojë përpara si një hero, do të nxisë dëshirën e tij të zjarrtë si një luftëtar, do të lëshojë një klithmë, po një klithmë therëse; do të triumfojë mbi armiqtë e tij.

14. "Për një kohë të gjatë kam qëndruar në heshtje, nuk kam folur, e kam përmbajtur veten; por tani do të bërtas si një grua që heq të prerat e lindjes, do të marr frymë me vështirësi dhe njëkohësisht do të shfryj.

15. Do të shkretoj malet dhe kodrat dhe do të t'i thaj tërë bimët e blerta; do t'i katandis lumenjtë në ishuj dhe do të thaj pellgjet.

16. Do t'i bëj të verbrit të ecin nëpër një rrugë që ata nuk e njihnin dhe do t'i çoj nëpër shtigje të panjohura; do të ndryshoj para tyre terrin në dritë dhe vendet dredha-dredha në fushë. Këto gjëra do të bëj për ta dhe nuk do t'i braktis.

17. Do të kthejnë kurrizin plot me turp ata që kanë besim në shëmbëlltyrat e gdhendua dhe u thonë shëmbëlltyrave të derdhura: "Ju jeni perënditë tona!".

18. O të shurdhër, dëgjoni; o të verbër, shikoni dhe keni për të parë!

19. Kush është i verbër, në mos shërbëtori im, o i shurdhër si lajmëtari im që po dërgoj? Kush është i verbër si ai që është në paqe me mua, i verbër si shërbëtori i Zotit?

20. Ke parë shumë gjëra, por pa u kushtuar kujdesin e duhur; veshët e tu ishin të hapur, por nuk dëgjove asgjë".

21. Zoti u gëzua për hir të drejtësisë së tij; do ta bëjë ligjin e tij të madh dhe të mrekullueshëm.

22. Por ky është një popull që e kanë vjedhur dhe zhveshur; janë zënë të gjithë nga leqe në burgjet e nëndheshme dhe janë mbyllur në burgje. Janë bërë objekt plaçkitjeje, por askush nuk i ka çliruar; të zhveshur, por askush nuk ka thënë: "Ktheji!".

23. Kush prej jush do t'i kushtojë vëmendje kësaj gjëje? Kush prej jush do t'i kushtojë vëmendje dhe do të dëgjojë në të ardhmen?

24. Kush e ka braktisur Jakobin në duart e plaçkitësve dhe Izraelin në ato të grabitësve? A nuk ka qenë vallë Zoti kundër të cilit kemi mëkatuar? Ata në fakt nuk kanë dashur të ecin në rrugët e tij dhe nuk i janë bindur ligjit të tij.

25. Prandaj ai hodhi mbi të afshin e zemërimit të tij dhe dhunën e luftës, që e mbështolli rreth e qark në flakë pa e vënë re ai; e shkriu atë, por ai nuk pati gajle.