Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjyqtarët 6:25-36 Bibla Shqip (ALBB)

25. Po atë natë Zoti i tha: "Merr demin e atit tënd dhe demin e dytë shtatëvjeçar, shemb altarin e Baalit që i përket atit tënd, dhe rrëzo Asherahun që i qëndron afër;

26. pastaj ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd, në majë të këtij shkëmbi sipas rregullit të caktuar; pastaj merr demin e dytë dhe ofroje si holokaust mbi lëndën e drurit të Asherahut që do të kesh rrëzuar".

27. Atëherë Gedeoni mori dhjetë burra në mes të shërbëtorëve të tij dhe veproi ashtu siç i kishte thënë Zoti; por me qenë se kishte frikë nga shtëpia e atit të tij dhe nga njerëzit e qytetit, në vend që ta bënte këtë punë ditën, e bëri natën.

28. Kur të nesërmen në mëngjes njerëzit e qytetit u ngritën, panë që altari i Baalit ishte shembur, që Asherahu që ndodhej pranë tij ishte rrëzuar dhe që demi i dytë ishte ofruar si holokaust mbi altarin që ishte ndërtuar.

29. Dhe i thanë njëri-tjetrit: "Kush e bëri këtë?". Kur pastaj u informuan dhe pyetën, atyre u thanë: "Gedeoni, bir i Joashit, e bëri këtë".

30. Atëherë njerëzit e qytetit i thanë Joashit: "Nxirr jashtë birin tënd dhe të dënohet me vdekje se ka shembur altarin e Baalit dhe ka rrëzuar Asherahun që ndodhej pranë tij".

31. Joashi iu përgjigj të gjithë atyre që ishin ngritur kundër tij: "Ju doni ta mbroni çështjen e Baalit ose ta ndihmoni atë? Ai që do të kërkojë të mbrojë çështjen e tij do të vritet para mëngjesit të ditës së nesërme. Në rast se ai është zoti, le ta mbrojë vetë çështjen e tij, sepse i kanë shembur altarin e tij".

32. Prandaj atë ditë Gedeoni u mbiquajt Jerubaal, sepse u tha: "Le të jetë Baali që të luftojë kundër tij, sepse ai ia ka shembur atij altarin".

33. Tërë midianitët, amalekitët dhe bijtë e lindjes u mblodhën, kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në luginën e Jezreelit.

34. Por Fryma e Zotit depërtoi te Gedeoni që i ra borisë; dhe abiezeritët u thirrën që t'i shkonin pas.

35. Ai dërgoi lajmëtarë edhe në tërë Manasin, i cili u thirr gjithashtu që t'i shkonte pas; dërgoi lajmëtarë edhe te fiset e Asherit, të Zabulonit dhe të Neftalit, të cilët u nisën për të takuar të tjerët.

36. Pastaj Gedeoni i tha Perëndisë: "Në rast se ke ndër mend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, siç ke thënë,

Lexoni kapitullin e plotë Gjyqtarët 6