Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ester 9:21-32 Bibla Shqip (ALBB)

21. për t'i urdhëruar të kremtonin çdo vit ditën e katërmbëdhjetë dhe të pesëmbëdhjetë të muajit të adarit,

22. si ditët gjatë të cilave judenjtë patën pushim nga sulmet e armiqve të tyre, dhe si muaji në të cilin dhembja e tyre u kthye në gëzim dhe zia në festë, dhe kështu ato t'i bënin ditë banketi e gëzimi, gjatë të cilave t'i dërgonin dhurata njëri-tjetrit dhe t'u bënin dhurata të varfërve.

23. Judenjtë u zotuan të respektonin atë që kishin filluar të bënin, ashtu si u kishte shkruar atyre Mardokeu.

24. Në fakt Hamani, bir i Hamedathas, agagitit, armiku i të gjithë judenjve, kishte komplotuar kundër judenjve për t'i shkatërruar dhe kishte hedhur Purin (domethënë kishte hedhur shortin), për t'i shfarosur dhe për t'i shkatërruar.

25. Por kur Esteri u paraqit para mbretit, ky urdhëroi me shkrim që komploti i keq që Hamani kishte kurdisur kundër judenjve të binte mbi kryet e tij dhe që ai dhe bijtë e tij të vareshin në trekëmbësh.

26. Prandaj ato ditë u quajtën Purim, nga fjala Pur. Në përshtatje, pra, me të gjitha ato që ishin shkruar në atë letër, me të gjitha ato që kishin parë lidhur me këtë dhe me ato që kishin ndodhur,

27. Judenjtë vendosën të zotoheshin pa iu shmangur për vete, për pasardhësit e tyre dhe për të gjithë ata që do të bashkoheshin me ta, të kremtonin çdo vit këto dy ditë sipas udhëzimeve të shkruara dhe kohës së caktuar.

28. Ato ditë duhet të kujtoheshin dhe të kremtoheshin brez pas brezi, në çdo familje, në çdo krahinë, në çdo qytet; në asnjë mënyrë judenjtë nuk duhet të hiqnin dorë nga kremtimi i këtyre ditëve të Purimit, dhe kujtimi i tyre nuk duhet të zhdukej te pasardhësit e tyre.

29. Mbretëresha Ester, bijë e Abihailit, dhe judeu Mardoke shkruan me autoritet të plotë letrën e tyre të dytë lidhur me Purimin.

30. Mardokeu u dërgoi letra tërë judenjve në njëqind e njëzet e shtatë krahina të mbretërisë së Asueros, me fjalë paqeje dhe të së vërtetës.

31. për t'i vendosur ato ditë të Purimit në kohën e caktuar, siç i kishin vendosur atyre judeu Mardoke dhe mbretëresha Ester ashtu si kishin vendosur ata vetë për vete dhe për pasardhësit e tyre me rastin e agjërimit të tyre dhe të britmës së tyre.

32. Kështu dekreti i Esterit fiksoi caktimin e Purimit dhe u shkrua në një libër.

Lexoni kapitullin e plotë Ester 9