Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Esdra 8:16-32 Bibla Shqip (ALBB)

16. Atëherë dërgova të thërrasë Eliezerin, Arielin, Shemajahun, Elnathanin, Jaribin, Elnathanin, Nathanin, Zakarian dhe Meshulamin, që ishin të parë, si edhe Jojaribin dhe Elnathanin që ishin njerëz të urtë,

17. dhe i urdhërova të shkonin tek Ido, kreu i lokalitetit të Kasifias, dhe u vura në gojë fjalët që duhet t'i thoshin Idos dhe vëllezërve të tij, nethinenjve në lokalitetin e Kasifias, që të na dërgonin njerëz që të kryenin shërbimin në shtëpinë e Perëndisë tonë.

18. Me qenë se dora mirëbërëse e Perëndisë tonë ishte mbi ne, ata na dërguan Sherebiahun, një njeri me mend, nga bijtë e Mahlit, birit të Levit, bir i Izraelit, bashkë me bijtë e vëllezërit e tij, gjithsej tetëmbëdhjetë;

19. dhe Hashabiahun, dhe me të Isai nga bijtë e Merarit, vëllezërit dhe bijtë e tyre, gjithsej njëzet;

20. dhe nga nethinenj, që Davidi dhe krerët kishin caktuar në shërbim të levitëve, dyqind e njëzet nethinenj, të gjithë të caktuar me emër.

21. Aty, pranë lumit Ahava, unë shpalla një agjërim për t'u përulur përpara Perëndisë tonë, për t'i kërkuar një udhëtim të sigurt për ne, për fëmijët tanë dhe për të gjitha pasuritë tona.

22. Në fakt unë kisha turp t'i kërkoja mbretit një roje ushtarësh dhe kalorësish që të na mbronte nga armiku gjatë udhëtimit, sepse i kishim thënë mbretit: "Dora e Perëndisë tonë është mbi të gjithë ata që kërkojnë për të mirën e tyre, por fuqia e tij dhe zemërimi i tij janë kundër të gjithë atyre që e braktisin".

23. Kështu ne agjëruam dhe iu lutëm Perëndisë tonë për këtë arsye, dhe ai e dëgjoi lutjen tonë.

24. Atëherë unë zgjodha dymbëdhjetë nga krerët e priftërinjve: Sherebiahun, Hashabiahun dhe bashkë me ta dhjetë nga vëllezërit e tyre,

25. dhe u peshova atyre argjendin, arin, veglat, që ishin oferta e bërë për shtëpinë e Perëndisë tonë nga mbreti, nga këshilltarët dhe nga paria e tij, dhe nga të gjithë izraelitët që ndodheshin atje.

26. Në duart e tyre peshova gjithashtu gjashtëqind e pesëdhjetë talenta argjendi, vegla prej argjendi me një vlerë prej njëqind talentash, njëqind talenta ari,

27. njëzet kupa ari me një vlerë prej një mijë darikë, dy enë prej bronzi të hollë dhe të shndritshëm, i çmueshëm si ari.

28. Pastaj u thashë atyre: "Ju i jeni shenjtëruar Zotit; edhe përdorëset janë të shenjta, dhe argjendi dhe ari janë një ofertë vullnetare për Zotin, Perëndinë e etërve tuaj.

29. Kini kujdes dhe ruajini derisa t'i peshoni përpara krerëve të priftërinjve, levitëve dhe të parëve të shtëpive atërore të Izraelit në Jeruzalem, në dhomat e shtëpisë të Zotit".

30. Kështu priftërinjtë dhe levitët morën argjendin, arin dhe veglat që u peshuan atëherë, për t'i çuar në Jeruzalem në shtëpinë e Perëndisë tonë.

31. Ditën e dymbëdhjetë të muajit të parë u nisëm nga lumi Ahava për të shkuar në Jeruzalem; dora e Perëndisë tonë ishte mbi ne dhe gjatë udhëtimit na liroi nga armiku dhe nga pritat e tij.

32. Arritëm kështu në Jeruzalem dhe qëndruam tri ditë atje.

Lexoni kapitullin e plotë Esdra 8