Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Esdra 7:5-20 Bibla Shqip (ALBB)

5. bir i Abishuas, bir i Finehasit, bir i Eleazarit, bir i Aaronit, kryeprift;

6. ky Ezdra vinte nga Babilonia. Ishte një shkrues kompetent në ligjin e Moisiut të dhënë nga Zoti, Perëndia i Izraelit. Mbreti i dha të gjitha ato që ai kërkoi, sepse dora e Zotit, Perëndisë së tij, ishte mbi të.

7. Në vitin e shtatë të mbretit Artakserksit, ngjitën gjithashtu në Jeruzalem disa nga bijtë e Izraelit dhe të priftërinjve, levitë, këngëtarë, derëtarë dhe nethinenj.

8. Ezdra arriti në Jeruzalem në muajin e pestë, që ishte viti i shtatë i mbretit.

9. Ai e filloi udhëtimin e tij nga Babilonia ditën e parë të muajit të parë dhe arriti në Jeruzalem ditën e parë të muajit të pestë, sepse dora mirëbërëse e Perëndisë së tij ishte mbi të.

10. Në të vërtetë Ezdra i ishte kushtuar me gjithë zemër të studionte ligjin e Zotit, ta zbatonte në praktikë dhe të mësonte në Izrael statutet dhe dekretet.

11. Ja kopja e letrës që mbreti Artakserks i dorëzoi priftit Ezdra, shkruesit, një shkrues kompetent në urdhërimet e Zotit dhe në statutet e tij e dhëna Izraelit.

12. "Artakserksi, mbret i mbretërve, priftit Ezdra, shkruesit kompetent në ligjin e Perëndisë të qiellit. Përshëndetje, e të tjera.

13. Unë kam nxjerrë një dekret sipas të cilit kushdo nga populli i Izraelit dhe nga priftërinjtë e tij dhe nga levitët e mbretërisë sime që ka vendosur lirisht të shkojë në Jeruzalem, mund të vijë me ty.

14. Në të vërtetë ti je dërguar nga ana e mbretit dhe nga shtatë këshilltarët e tij për të bërë hulumtime në Judë dhe në Jeruzalem mbi ligjin e Perëndisë tënd, që është në duart e tua,

15. dhe për t'i çuar argjendin dhe arin që mbreti dhe këshilltarët e tij ia kanë ofruar spontanisht Perëndisë të Izraelit, banesa e të cilit është në Jeruzalem,

16. dhe tërë argjendin dhe arin që mund të gjesh në tërë krahinën e Babilonisë, së bashku me ofertën vullnetare, që bëhen në mënyrë spontane nga populli dhe nga priftërinjtë për shtëpinë e Perëndisë të tyre në Jeruzalem.

17. Prandaj me këto para ti do të kujdesesh të blesh dema, desh dhe qengja me ofertat e tyre të ushqimit dhe të libacioneve, dhe do t'i ofrosh mbi altarin e shtëpisë së Perëndisë tuaj që është në Jeruzalem.

18. Sa për pjesën tjetër të argjendit dhe të arit, do të bëni atë që të duket e mirë ty dhe vëllezërve të tu, sipas vullnetit të Perëndisë tuaj.

19. Edhe veglat që të janë dhënë për shërbimin e shtëpisë së Perëndisë tënd, vendosi përsëri përpara Perëndisë të Jeruzalemit.

20. Për çfarëdo lloj nevoje tjetër të shtëpisë së Perëndisë tënd që të takon ty ta plotësosh, do ta plotësosh me shpenzimet e thesarit mbretëror.

Lexoni kapitullin e plotë Esdra 7