Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Eksodi 10:3-14 Bibla Shqip (ALBB)

3. Moisiu dhe Aaroni shkuan te Faraoni dhe i thanë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: "Deri kur do të refuzosh të ulësh kokën para meje? Lëre popullin tim të shkojë që të mund të më shërbejë.

4. Sepse po refuzove ta lësh popullin tim të shkojë, që nesër do të sjell karkaleca në territorin tënd.

5. Dhe ato do të mbulojnë faqen e dheut, kështu që asnjeri nuk do të mund ta shohë tokën; dhe ato do të përpijnë edhe atë që ka mbetur, atë që ju ka lënë breshri, dhe do të përpinë çdo pemë që rritet për ju në fusha.

6. Dhe do t'i mbushin shtëpitë tuaja, shtëpitë e tërë shërbëtorëve të tu dhe shtëpitë e tërë egjiptasve, diçka që as etërit e tu as etërit e etërve të tu nuk e kanë parë kurrë, nga dita që qenë mbi dhe deri në këtë ditë"". Me t'i thënë këto fjalë ktheu kurrizin dhe doli nga prania e Faraonit.

7. Pastaj shërbëtorët e Faraonit i thanë: "Deri kur ky njeri do të jetë pengesë për ne? Lëri këta njerëz të ikin, që t'i shërbejnë Zotit Perëndisë të tyre! Nuk e ke kuptuar akoma që Egjipti është shkatërruar?".

8. Kështu Moisiu dhe Aaroni u rikthyen te Faraoni; dhe ky u tha atyre: "Shkoni, shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj. Por kush janë ata që do të shkojnë?". Moisiu tha:

9. "Ne do të shkojmë me fëmijët tanë dhe me pleqtë tanë, me bijtë tanë dhe bijat tona; do të shkojmë me kopetë tona të bagëtive të imta dhe të trasha, sepse duhet të kremtojmë një festë kushtuar Zotit".

10. Faraoni u tha atyre: "Zoti qoftë me ju, kur unë do t'ju lë të ikni bashkë me fëmijët tuaj! Por kini kujdes se mos keni qëllime të këqija!

11. Jo, jo! Shkoni ju, burra, t'i shërbeni Zotit; sepse kjo është ajo që kërkoni". Dhe i dëbuan nga prania e Faraonit.

12. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi vendin e Egjiptit për karkalecat, me qëllim që ato të ngjiten dhe të mbulojnë vendin e Egjiptit dhe të përpijnë tërë bimësinë e vendit, tërë ato që ka lënë breshri".

13. Atëherë Moisiu zgjati bastunin e tij mbi vendin e Egjiptit; dhe Zoti ngriti një erë nga lindja mbi vendin tërë atë ditë dhe tërë natën; sa erdhi mëngjesi, era e lindjes solli karkalecat.

14. Dhe karkalecat u ngjitën në tërë vendin e Egjiptit dhe u ulën në tërë territorin e tij në numër të madh. Nuk kishte pasur kurrë një murtajë të tillë karkalecash më parë dhe nuk do të ndodhë ndonjë tjetër.

Lexoni kapitullin e plotë Eksodi 10