Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Danieli 6:20-26 Bibla Shqip (ALBB)

20. Me të arritur pranë gropës, thirri Danielin me zë zemërthyer; mbreti filloi t'i thotë Danielit: "Daniel, shërbëtor i Perëndisë të gjallë, Perëndia yt, a ka mundur të të shpëtojë nga luanët?".

21. Atëherë Danieli i tha mbretit: "O mbret, jetofsh përjetë!

22. Perëndia im dërgoi engjëllin e tij që ka mbyllur gojën e luanëve, dhe ata nuk më kanë bërë asnjë të keqe, sepse kam dalë i pafaj përpara atij; por edhe përpara teje, o mbret, nuk kam bërë asnjë të keqe".

23. Atëherë mbreti u gëzua shumë dhe urdhëroi që Danieli të nxirrej nga gropa. Kështu Danielin e nxorën nga gropa dhe nuk u gjet mbi të asnjë lëndim sepse kishte pasur besim te Perëndia i tij.

24. Pastaj mbreti urdhëroi që të silleshin ata njerëz që kishin paditur Danielin dhe i hodhën në gropën e luanëve, ata, bijtë e tyre dhe gratë e tyre. Dhe para se të arrinin në fund të gropës, luanët u hodhën mbi ta dhe copëtuan tërë kockat e tyre.

25. Atëherë mbreti Dar u shkroi tërë popujve, kombeve dhe gjuhëve që banonin në gjithë dheun: "Paqja juaj qoftë e madhe!

26. Unë dekretoj që në të gjithë sundimin e mbretërisë sime të dridhen dhe të kenë frikë para Perëndisë të Danielit, sepse ai është Perëndia i gjallë që ekziston përjetë. Mbretëria e tij nuk do të shkatërrohet kurrë dhe sundimi i tij nuk do të ketë fund kurrë.

Lexoni kapitullin e plotë Danieli 6