Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Danieli 6:11-23 Bibla Shqip (ALBB)

11. Atëherë ata njerëz erdhën duke bërë zhurmë dhe e gjetën Danielin që po i lutej dhe i përgjërohej Perëndisë së tij.

12. Kështu iu afruan mbretit dhe folën para tij për dekretin mbretëror: "A nuk ke nënshkruar një dekret në bazë të të cilit gjatë tridhjetë ditëve kushdo që do të bëjë një kërkesë drejtuar çfarëdo perëndie ose njeriu me përjashtimin tënd, o mbret, do të hidhet në gropën e luanëve?". Mbreti u përgjigj dhe tha: "Kjo gjë është vendosur në pajtim me ligjin e medasve dhe të persianëve, që nuk mund të ndryshohet".

13. Atëherë ata nisën përsëri të flasin përpara mbretit: "Danieli, që është një ndër të mërguarit e Judës, nuk tregon asnjë konsideratë për ty, o mbret, ose për dekretin që ke nënshkruar, por i drejton lutje tri herë në ditë Perëndisë së tij".

14. Me të dëgjuar këtë, mbreti u hidhërua me të madhe dhe duke dashur në zemër të vet ta çlirojë Danielin, u përpoq derisa perëndoi dielli ta shkëputë nga duart e tyre.

15. Por ata njerëz erdhën te mbreti duke bërë zhurmë dhe i thanë: "Dije, o mbret, që është ligj i medasve dhe i persianëve që asnjë dekret ose edikt i shpallur nga mbreti nuk mund të ndryshohet".

16. Atëherë mbreti dha urdhër dhe Danieli u çua tutje dhe u hodh në gropën e luanëve. Por mbreti i foli Danielit dhe i tha: "Perëndia jote, së cilës ti i shërben vazhdimisht, do të vijë vetë të të shpëtojë".

17. Pastaj sollën një gur, dhe e vunë në grykën e gropës; mbreti e vulosi me unazën e tij, me unazën e të mëdhenjve të tij, në mënyrë që vendimi i tij lidhur me Danielin të mos ndryshohej.

18. Atëherë mbreti u tërhoq në pallatin e tij dhe kaloi natën duke agjëruar; nuk sollën para tij asnjë muzikant, madje edhe gjumi e braktisi.

19. Të nesërmen në mëngjes mbreti u zgjua shumë herët dhe shkoi me nxitim në gropën e luanëve.

20. Me të arritur pranë gropës, thirri Danielin me zë zemërthyer; mbreti filloi t'i thotë Danielit: "Daniel, shërbëtor i Perëndisë të gjallë, Perëndia yt, a ka mundur të të shpëtojë nga luanët?".

21. Atëherë Danieli i tha mbretit: "O mbret, jetofsh përjetë!

22. Perëndia im dërgoi engjëllin e tij që ka mbyllur gojën e luanëve, dhe ata nuk më kanë bërë asnjë të keqe, sepse kam dalë i pafaj përpara atij; por edhe përpara teje, o mbret, nuk kam bërë asnjë të keqe".

23. Atëherë mbreti u gëzua shumë dhe urdhëroi që Danieli të nxirrej nga gropa. Kështu Danielin e nxorën nga gropa dhe nuk u gjet mbi të asnjë lëndim sepse kishte pasur besim te Perëndia i tij.

Lexoni kapitullin e plotë Danieli 6