7. Por Davidi e pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit (që është qyteti i Davidit).
8. Davidi tha atë ditë: "Kushdo që i mund jebusenjtë, të arrijë deri në kanal dhe t'i sprapsë çalamanët dhe të verbrit që i urren Davidi". Prandaj thonë: "I verbri dhe çalamani nuk do të hyjnë në Shtëpi".
9. Kështu Davidi u vendos në qytetin e fortifikuar dhe e quajti Qyteti i Davidit. Pastaj Davidi filloi të ndërtojë rreth e qark duke nisur nga Milo dhe në drejtim të pjesës së brendshme.
10. Davidi bëhej gjithnjë më i madh dhe Zoti, Perëndia i ushtrive, ishte me të.
11. Pastaj Hirami, mbret i Tiros, i dërgoi Davidit lajmëtarë, dru cedri, zdrukthëtarë dhe muratorë, që i ndërtuan një shtëpi Davidit.
12. Atëherë Davidi u bind se Zoti po e vendoste si mbret të Izraelit dhe e lartësonte mbretërinë e tij për dashurinë që kishte për popullin e Izraelit.
13. Pas arritjes së tij nga Hebroni, Davidi mori konkubina dhe bashkëshorte të tjera nga Jeruzalemi dhe kështu i lindën bij dhe bija të tjera.
14. Këta janë emrat e bijve që i lindën në Jeruzalem: Shamua, Shobab, Nathan, Salomon,
15. Ibhar, Elishua, Nefeg, Jafia,
16. Elishama, Eliada, Elifelet.
17. Kur filistenjtë mësuan që Davidi ishte vajosur mbret i Izraelit, tërë filistenjtë dolën në kërkim të Davidit. Sa e mësoi këtë, Davidi zbriti në qytetin e fortifikuar.
18. Filistenjtë arritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit.
19. Atëherë Davidi u këshillua me Zotin duke i thënë: "A duhet të dal kundër filistenjve? A do m'i lësh në duart e mia? Zoti i dha këtë përgjigje Davidit: "Dil, sepse pa tjetër do t'i lë filistenjtë në duart e tua".
20. Kështu Davidi shkoi në Baal-Peratsim, ku i mundi, dhe tha: "Zoti ka krijuar një të çarë midis armiqve të mi përpara meje, si një e çarë e hapur nga ujërat".