kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 5 Bibla Shqip (ALBB)

1. Atëherë tërë fiset e Izraelit erdhën te Davidi në Hebron dhe i thanë: "Ne jemi kocka dhe mishi yt.

2. Edhe në të kaluarën, kur Sauli mbretëronte mbi ne, ishe ti që udhëhiqje dhe e çoje në rrugë të drejtë Izraelin. Zoti të ka thënë: "Ti do të ushqesh popullin tim, Izraelin, ti do të jesh princ që do të sundojë mbi Izraelin"".

3. Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David lidhi një aleancë me ta në Hebron para Zotit, dhe ata e vajosën Davidin mbret të Izraelit.

4. Davidi ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi dyzet vjet.

5. Në Hebron mbretëroi shtatë vjet e gjashtë muaj mbi Judën; dhe në Jeruzalem mbretëroi tridhjetë e tre vjet mbi gjithë Izraelin dhe Judën.

6. Mbreti me njerëzit e tij u nis në drejtim të Jeruzalemit kundër jebusenjve, që banonin në atë vend. Këta i thanë Davidit: Nuk do të hysh këtu, sepse të verbrit dhe çalamanët do të të sprapsin!", duke dashur të thonë: "Davidi nuk ka për të hyrë kurrë këtu".

7. Por Davidi e pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit (që është qyteti i Davidit).

8. Davidi tha atë ditë: "Kushdo që i mund jebusenjtë, të arrijë deri në kanal dhe t'i sprapsë çalamanët dhe të verbrit që i urren Davidi". Prandaj thonë: "I verbri dhe çalamani nuk do të hyjnë në Shtëpi".

9. Kështu Davidi u vendos në qytetin e fortifikuar dhe e quajti Qyteti i Davidit. Pastaj Davidi filloi të ndërtojë rreth e qark duke nisur nga Milo dhe në drejtim të pjesës së brendshme.

10. Davidi bëhej gjithnjë më i madh dhe Zoti, Perëndia i ushtrive, ishte me të.

11. Pastaj Hirami, mbret i Tiros, i dërgoi Davidit lajmëtarë, dru cedri, zdrukthëtarë dhe muratorë, që i ndërtuan një shtëpi Davidit.

12. Atëherë Davidi u bind se Zoti po e vendoste si mbret të Izraelit dhe e lartësonte mbretërinë e tij për dashurinë që kishte për popullin e Izraelit.

13. Pas arritjes së tij nga Hebroni, Davidi mori konkubina dhe bashkëshorte të tjera nga Jeruzalemi dhe kështu i lindën bij dhe bija të tjera.

14. Këta janë emrat e bijve që i lindën në Jeruzalem: Shamua, Shobab, Nathan, Salomon,

15. Ibhar, Elishua, Nefeg, Jafia,

16. Elishama, Eliada, Elifelet.

17. Kur filistenjtë mësuan që Davidi ishte vajosur mbret i Izraelit, tërë filistenjtë dolën në kërkim të Davidit. Sa e mësoi këtë, Davidi zbriti në qytetin e fortifikuar.

18. Filistenjtë arritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit.

19. Atëherë Davidi u këshillua me Zotin duke i thënë: "A duhet të dal kundër filistenjve? A do m'i lësh në duart e mia? Zoti i dha këtë përgjigje Davidit: "Dil, sepse pa tjetër do t'i lë filistenjtë në duart e tua".

20. Kështu Davidi shkoi në Baal-Peratsim, ku i mundi, dhe tha: "Zoti ka krijuar një të çarë midis armiqve të mi përpara meje, si një e çarë e hapur nga ujërat".

21. Filistenjtë i braktisën atje idhujt e tyre dhe Davidi dhe njerëzit e tij i morën me vete.

22. Më vonë filistenjtë dolën përsëri dhe u përhapën në luginën e refaimëve.

23. Kur Davidi u këshillua me Zotin, ai i tha: "Mos u dil përballë; merrua krahët, hidhu mbi ta përballë Balsamit.

24. Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e Balsamit, hidhu menjëherë në sulm, sepse atëherë Zoti do të dalë para teje për të mundur ushtrinë e filistenjve".

25. Davidi veproi pikërisht ashtu si kishte urdhëruar Zoti dhe i mundi filistenjtë që nga Geba deri në Gezer