kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 22 Bibla Shqip (ALBB)

1. Davidi i drejtoi Zotit fjalët e këtij kantiku ditën që Zoti e çliroi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. Ai tha:

2. "Zoti është fortesa ime, kalaja ime dhe çlirimtari im,

3. Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna!

4. Unë i kërkoj ndihmë Zotit që meriton të lavdërohet, dhe kështu më shpëtoi nga duart e armiqve të mi.

5. Valët e vdekjes më kishin rrethuar dhe përrenjtë e shkatërrimit më kishin tmerruar.

6. Dhembjet e Sheolit më kishin zënë dhe lakun e vdekjes e kisha para syve.

7. Në ankthin tim i kërkova ndihmë Zotit dhe i klitha Perëndisë tim. Ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli ku ndodhej dhe klithma ime arriti në veshët e tij.

8. Atëherë toka u trondit dhe u drodh, themelet e qiejve u lëkundën dhe u shkundën, sepse ai ishte tërë zemërim.

9. Një tym ngjitej nga fejzat e hundës së tij dhe një zjarr përvëlues i dilte nga goja; prej tij dilnin thëngjij.

10. Ai i uli qiejt dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij.

11. Ai rrinte kaluar mbi një kerubin, fluturonte dhe dukej mbi flatrat e erës.

12. Si shatorre rreth vetes kishte vënë terrin, errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.

13. Nga shkëlqimi që i priste dilnin thëngjij.

14. Zoti gjëmoi në qiejt dhe Më i Larti bëri të dëgjohet zëri i tij.

15. Hodhi shigjeta dhe shpërndau armiqtë, hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau.

16. Atëherë doli shtrati i detit dhe themelet e botës u zbuluan, me qortimin e Zotit, me erën që shfrynë, fejzat e hundës së tij.

17. Ai nga lart shtriu dorën dhe më kapi, më nxori nga ujërat e mëdha.

18. Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë

19. Ata ishin ngritur kundër meje ditën e mjerimit tim, por Zoti qe përkrahësi im,

20. ai më çoi larg tyre; ai më shpëtoi sepse i pëlqej.

21. Zoti më ka shpërblyer sipas së drejtës sime dhe më ka dhënë sipas pastërtisë së duarve të mia,

22. sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im.

23. Sepse kam mbajtur para vetes të gjitha ligjet e tij dhe nuk jam larguar nga statutet e tij.

24. Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.

25. Prandaj Zoti më ka dhënë sipas së drejtës sime, sipas pastërtisë sime përpara syve të tij.

26. Ti tregohesh i mëshirshëm me njeriun e përshpirtshëm dhe i drejtë me njeriun e drejtë;

27. ti tregohesh i pastër me njeriun e pastër dhe dinak me njeriun e çoroditur.

28. Ti shpëton njerëzit e hidhëruar, por shikimi yt ndalet mbi kryelartët për t'i ulur.

29. Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim.

30. Me ty mund të sulmoj një grup, me Perëndinë tim mund të kapërcej një mur.

31. Rruga e Zotit është e përsosur; fjala e Zotit është pastruar me zjarrin. Ai është mburoja e të gjithë atyre që kanë shpresë tek ai.

32. Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Dhe kush është Kalaja përveç Perëndisë tonë?

33. Zoti është kalaja ime e fuqishme, ai e bën të përsosur rrugën time.

34. Ai i bën këmbët e mia si ato të drerit dhe më bën të mbahem mirë në vendet e mia të larta.

35. Ai i mëson duart e mia për betejë dhe krahët e mia mund të tendosin një hark prej bronzi.

36. Ti më ke dhënë edhe mburojën e shpëtimit tënd dhe mirësia jote më ka bërë të madh.

37. Ti i ke zgjedhur hapat e mia dhe këmbët e mia nuk kanë ngurruar në këtë rast.

38. Unë i kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam shkatërruar, nuk jam kthyer prapa para se t'i shfarosja.

39. I kam shkatërruar dhe shtypur, dhe ata nuk kanë mundur më të ngrihen kundër meje; ata kanë rënë nën këmbët e mia.

40. Ti më ke dhënë forcë në betejë, dhe bëre që të më përulen ata që ngriheshin kundër meje;

41. bëre që të më kthenin kurrizin armiqtë e mi përpara meje, dhe unë zhduka ata që më urrenin.

42. Ata shikuan, por nuk pati njeri që t'i shpëtonte; i klithën Zotit, por ai nuk iu përgjigj atyre.

43. Unë i thërrmova si pluhuri i tokës, i copëtova dhe i shkela si balta e rrugëve.

44. Ti më ke çliruar nga mosmarrëveshjet e popullit tim, më ke ruajtur si udhëheqës i kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.

45. Bijtë e të huajve më nënshtrohen mua; sa më dëgjojnë, më binden.

46. Bijtë e të huajve kanë humbur guximin, kanë dalë duke u dridhur nga fortesat e tyre.

47. Rroftë Zoti! Qoftë e bekuar Fortesa ime! U lartësoftë në qiell Perëndia, Fortesa e shpëtimit tim!

48. Është Perëndia që hakmerret për mua, që më nënshtron popujt,

49. dhe më liron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu i furishëm.

50. Prandaj, o Zot, do të të kremtoj midis kombeve dhe do të këndojë lavdinë e emrit tënd.

51. Lirime të mëdha i siguron mbretit të tij, sillet dashamirës me të vajosurin, me Davidin dhe me pasardhësit e tij përjetë".