Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 22:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Davidi i drejtoi Zotit fjalët e këtij kantiku ditën që Zoti e çliroi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. Ai tha:

2. "Zoti është fortesa ime, kalaja ime dhe çlirimtari im,

3. Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna!

4. Unë i kërkoj ndihmë Zotit që meriton të lavdërohet, dhe kështu më shpëtoi nga duart e armiqve të mi.

5. Valët e vdekjes më kishin rrethuar dhe përrenjtë e shkatërrimit më kishin tmerruar.

6. Dhembjet e Sheolit më kishin zënë dhe lakun e vdekjes e kisha para syve.

7. Në ankthin tim i kërkova ndihmë Zotit dhe i klitha Perëndisë tim. Ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli ku ndodhej dhe klithma ime arriti në veshët e tij.

8. Atëherë toka u trondit dhe u drodh, themelet e qiejve u lëkundën dhe u shkundën, sepse ai ishte tërë zemërim.

9. Një tym ngjitej nga fejzat e hundës së tij dhe një zjarr përvëlues i dilte nga goja; prej tij dilnin thëngjij.

10. Ai i uli qiejt dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij.

11. Ai rrinte kaluar mbi një kerubin, fluturonte dhe dukej mbi flatrat e erës.

12. Si shatorre rreth vetes kishte vënë terrin, errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.

13. Nga shkëlqimi që i priste dilnin thëngjij.

14. Zoti gjëmoi në qiejt dhe Më i Larti bëri të dëgjohet zëri i tij.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 22