Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 17:15-27 Bibla Shqip (ALBB)

15. Atëherë Hushai u tha priftërinjve Tsodak dhe Abiathar: "Ahithofeli ka këshilluar Absalomin dhe pleqtë e Izraelit kështu e kështu, ndërsa unë i këshillova në këtë dhe atë mënyrë.

16. Prandaj tani dërgoni me nxitim njeri që të informoni Davidin dhe i thoni: "Mos kalo natën në fushat e shkretëtirës, por pa tjetër shko më tutje, me qëllim që mbreti dhe gjithë njerëzit që janë me të të mos shfarosen".

17. Por Jonathani dhe Ahimaatsi mbetën në En-Rogel, sepse nuk mund të dukeshin që hynin në qytet; kështu një shërbëtor do të shkonte për t'i informuar, dhe ata do të shkonin për të njoftuar mbretin David.

18. Por një djalë i pa dhe njoftoi Absalomin. Të dy u nisën atëherë me nxitim dhe arritën në Bahurim në shtëpinë e një njeriu që kishte në oborr një sternë dhe zbritën në të.

19. Pastaj gruaja mori një mbulesë, e shtriu mbi grykën e sternës dhe shpërndau mbi të grurë të bluar, pa u vënë re nga njeri.

20. Kur shërbëtorët e Absalomit shkuan në shtëpinë e gruas dhe pyetën: "Ku janë Ahimaatsini dhe Jonathani?", gruaja u përgjigj: "Ata e kaluan rrëkenë". Ata filluan t'i kërkojnë, por nuk i gjetën dhe u kthyen në Jeruzalem.

21. Pas nisjes së këtyre të fundit, të dy dolën nga sterna dhe shkuan të njoftojnë mbretin David. Dhe i thanë Davidit: "Shpejtoni dhe kaloni menjëherë lumin, sepse kjo është ajo që Ahithofeli ka këshilluar kundër jush".

22. Atëherë Davidi u ngrit me gjithë njerëzit që ishin me të dhe kaloi Jordanin. Në të gdhirë nuk kishte mbetur as edhe një pa e kaluar Jordanin.

23. Kur Ahithofeli pa që këshilla e tij nuk ishte ndjekur, shaloi gomarin dhe shkoi në shtëpinë e vet në qytetin e tij. Vuri në rregull gjërat e shtëpisë dhe vari veten. Kështu vdiq dhe u varros në varrin e të atit.

24. Pastaj Davidi arriti në Mahanaim; dhe Absalomi kaloi Jordanin me gjithë njerëzit e Izraelit.

25. Absalomi kishte vënë në krye të ushtrisë Amasan në vend të Joabit. Amasan ishte bir i një burri të quajtur Jithra izraeliti, i cili kishte pasur marrëdhënie seksuale me Abigailin, bijën e Nahashit, motër e Tserujahut, nënë e Joabit.

26. Kështu Izraeli dhe Absalomi e ngritën kampin e tyre në vendin e Galaadit.

27. Kur Davidi arriti në Mahanaim, Shobi, bir i Nahashit nga Rabahu dhe i bijve të Amonit, Makiri, bir i Amielit nga Lodebaru dhe Barzilai, galaaditi nga Rogelimi,

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 17