Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 17:10-25 Bibla Shqip (ALBB)

10. Atëherë edhe më trimi, edhe sikur të kishte zemër luani, do të dëshpërohej shumë, sepse tërë Izraeli e di që yt atë është trim dhe që njerëzit që e shoqërojnë janë trima.

11. Prandaj këshilloj që i tërë Izraeli nga Dani deri në Beer-Sheba të mblidhet rreth teje, i shumtë si rëra që ndodhet në bregun e detit, dhe që ti të marrësh pjesë personalisht në betejë.

12. Kështu do ta arrijmë në çdo vend që të ndodhet dhe do të biem mbi të ashtu si vesa bie mbi tokë; dhe nga gjithë njerëzit që janë me të nuk ka për të shpëtuar as edhe një.

13. Në rast se tërhiqet në ndonjë qytet, tërë Izraeli do t'i çojë litarë atij qyteti dhe ne do ta tërheqim në përrua, derisa aty të mos mbetet asnjë gur".

14. Absalomi dhe tërë njerëzit e Izraelit thanë: "Këshilla e arkitit Hushai është më e mirë se ajo e Ahithofelit". Në të vërtetë Zoti kishte vendosur ta bënte të kotë këshillën e mirë të Ahithofelit për të shkatërruar Absalomin.

15. Atëherë Hushai u tha priftërinjve Tsodak dhe Abiathar: "Ahithofeli ka këshilluar Absalomin dhe pleqtë e Izraelit kështu e kështu, ndërsa unë i këshillova në këtë dhe atë mënyrë.

16. Prandaj tani dërgoni me nxitim njeri që të informoni Davidin dhe i thoni: "Mos kalo natën në fushat e shkretëtirës, por pa tjetër shko më tutje, me qëllim që mbreti dhe gjithë njerëzit që janë me të të mos shfarosen".

17. Por Jonathani dhe Ahimaatsi mbetën në En-Rogel, sepse nuk mund të dukeshin që hynin në qytet; kështu një shërbëtor do të shkonte për t'i informuar, dhe ata do të shkonin për të njoftuar mbretin David.

18. Por një djalë i pa dhe njoftoi Absalomin. Të dy u nisën atëherë me nxitim dhe arritën në Bahurim në shtëpinë e një njeriu që kishte në oborr një sternë dhe zbritën në të.

19. Pastaj gruaja mori një mbulesë, e shtriu mbi grykën e sternës dhe shpërndau mbi të grurë të bluar, pa u vënë re nga njeri.

20. Kur shërbëtorët e Absalomit shkuan në shtëpinë e gruas dhe pyetën: "Ku janë Ahimaatsini dhe Jonathani?", gruaja u përgjigj: "Ata e kaluan rrëkenë". Ata filluan t'i kërkojnë, por nuk i gjetën dhe u kthyen në Jeruzalem.

21. Pas nisjes së këtyre të fundit, të dy dolën nga sterna dhe shkuan të njoftojnë mbretin David. Dhe i thanë Davidit: "Shpejtoni dhe kaloni menjëherë lumin, sepse kjo është ajo që Ahithofeli ka këshilluar kundër jush".

22. Atëherë Davidi u ngrit me gjithë njerëzit që ishin me të dhe kaloi Jordanin. Në të gdhirë nuk kishte mbetur as edhe një pa e kaluar Jordanin.

23. Kur Ahithofeli pa që këshilla e tij nuk ishte ndjekur, shaloi gomarin dhe shkoi në shtëpinë e vet në qytetin e tij. Vuri në rregull gjërat e shtëpisë dhe vari veten. Kështu vdiq dhe u varros në varrin e të atit.

24. Pastaj Davidi arriti në Mahanaim; dhe Absalomi kaloi Jordanin me gjithë njerëzit e Izraelit.

25. Absalomi kishte vënë në krye të ushtrisë Amasan në vend të Joabit. Amasan ishte bir i një burri të quajtur Jithra izraeliti, i cili kishte pasur marrëdhënie seksuale me Abigailin, bijën e Nahashit, motër e Tserujahut, nënë e Joabit.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 17