Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Samuelit 14:1-18 Bibla Shqip (ALBB)

1. Joabi, bir i Tserujahut, vuri re që zemra e mbretit ishte e shqetësuar për Absalomin.

2. Kështu Joabi dërgoi dikë në Tekoa dhe solli që andej një grua të urtë, së cilës i tha: "Bëj sikur mban zi dhe vish një palë rroba zije; mos u lyej me vaj, por sillu si një grua që qan prej kohe një të vdekur.

3. Shko pra te mbreti dhe foli në këtë mënyrë". Dhe Joabi e mësoi se ç'duhej të thoshte.

4. Gruaja e Tekoas shkoi të flasë me mbretin, u hodh me fytyrën për tokë, u përul dhe tha: "Ndihmomë, o mbret!".

5. Mbreti i tha: "Çfarë ke?". Ajo u përgjigj: "Mjerisht jam e ve dhe burri më ka vdekur.

6. Shërbëtorja jote kishte dy djem, por këta patën një grindje midis tyre në arë, dhe, me qenë se nuk kishte njeri t'i ndante, njëri goditi tjetrin dhe e vrau.

7. Tani tërë farë e fis është ngritur kundër shërbëtores sate, duke thënë: "Na dorëzo atë që vrau vëllanë, që ta bëjmë të vdesë për jetën e vëllait që ai ka vrarë dhe për të shfarosur edhe trashëgimtarin". Në këtë mënyrë do të shuhet e vetmja urë zjarri që më ka mbetur dhe nuk kanë për t'i lënë burrit tim as emër as pasardhës mbi faqen e dheut".

8. Mbreti i tha gruas: "Shko në shtëpinë tënde; unë do të jap urdhrat për çështjen tënde".

9. Gruaja e Tekoas i tha mbretit: "O mbret, zotëria im, faji të bjerë mbi mua dhe mbi shtëpinë e atit tim, por mbreti dhe froni i tij të jenë të pafaj".

10. Mbreti tha: "Në qoftë se dikush të thotë diçka, sille tek unë dhe ke për të parë që nuk do të të bjerë më në qafë".

11. Atëherë ajo tha: "Të mos e harrojë mbreti, të lutem, Zotin, Perëndinë tënd, në mënyrë që hakmarrësi i gjakut të mos vazhdojë të shkatërrojë dhe biri im të mos shfaroset". Ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, birit tënd, nuk do t'i bjerë në tokë asnjë qime floku!".

12. Atëherë gruaja i tha: "Lejoje shërbëtoren tënde t'i thotë akoma një fjalë mbretit!". Ai u përgjigj: "Thuaje, pra".

13. Gruaja ia rifilloi: "Pse ke menduar një gjë të tillë kundër popullit të Perëndisë? Duke folur në këtë mënyrë në fakt mbreti është deri diku fajtor, sepse mbreti nuk e kthen atë që është në mërgim.

14. Ne duhet të vdesim dhe jemi si ujët që derdhet mbi tokë, që nuk mund të mblidhet; por Perëndia nuk të heq jetën, por gjen mënyrën që ai që është në mërgim të mos qëndrojë larg tij.

15. Dhe tani kam ardhur të flas për këtë gjë me mbretin, me zotërinë time, sepse populli më ka trembur; dhe shërbëtorja jote ka thënë: "Dua të flas me mbretin; ndofta mbreti do të bëjë atë që shërbëtorja e tij do t'i thotë.

16. Mbreti do të dëgjojë shërbëtoren e tij dhe do ta çlirojë nga duart e atyre që duan të më heqin mua dhe birin tim nga trashëgimia e Perëndisë".

17. Shërbëtorja jote thoshte: "Oh, fjala e mbretit, e tim zoti, më ngushëlloftë, sepse mbreti, zotëria im, është si një engjëll i Perëndisë që di të dallojë të mirën dhe të keqen". Zoti, Perëndia yt, qoftë me ty".

18. Mbreti u përgjigj dhe i tha gruas: "Të lutem, mos më fshih asgjë nga ato që do të pyes. Gruaja i tha: "Le të flasë mbreti, Zotëria im".

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Samuelit 14