Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 3:5-18 Bibla Shqip (ALBB)

5. Por me vdekjen e Ashabit, mbretit të Moabit u rebelua kundër mbretit të Izraelit.

6. Atëherë mbreti Jehoram doli nga Samaria dhe kërkoi të mblidhet tërë Izraeli;

7. pastaj u nis dhe i çoi fjalë Jozafatit, mbretit të Judës: "Mbreti i Moabit ka ngritur krye kundër meje; a do të vish me mua për të luftuar kundër Moabit?". Ai u përgjigj: "Do të vij, ki besim tek unë ashtu si ke besim tek vetja jote, te populli im ashtu si te populli yt, te kuajt e mi ashtu si te kuajt e tu".

8. Pastaj pyeti: "Nëpër çfarë rruge do të shkojmë?". Jehorami u përgjigj: "Nga rruga e shkretëtirës së Edomit".

9. Kështu mbreti i Izraelit, mbreti i Judës dhe mbreti i Edomit filluan marshimin; mbasi ecën përqark shkretëtirës shtatë ditë, filloi t'i mungojë uji ushtrisë dhe kafshëve që e ndiqnin.

10. Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Sa keq! Zoti i ka thirrur bashkë këta tre mbretër për t'i dorëzuar në duart e Moabit!".

11. Por Jozafati pyeti: "A ka këtu ndonjë profet të Zotit me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin?". Njëri nga shërbëtorët e mbretit të Izraelit u përgjigj dhe tha: "Kemi këtu Eliseun, birin e Shafatit, i cili derdhte ujë mbi duart e Elias".

12. Jozafati tha: "Fjala e Zotit është me të". Kështu mbreti i Izraelit, Jozafati dhe mbreti i Edomit zbritën drejt tij.

13. Por Eliseu i tha mbretit të Izraelit: "Ç'punë kam unë me ty? Shko te profetët e atit tënd dhe të nënës sate!". Mbreti i Izraelit iu përgjigj: "Jo, sepse Zoti i ka thirrur bashkë të këta tre mbretër për t'i dorëzuar në duart e Moabit".

14. Atëherë Eliseu tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti i ushtrive, në prani të të cilit ndodhem unë, po të mos ishte për respektin që kam për Jozafatin, mbretin e Judës, nuk do të isha kujdesur aspak për ty dhe nuk do të të kisha begenisur as edhe me një shikim.

15. Por tani më sillni një muzikant". Por ndodhi që, ndërsa muzikanti i binte harpës, dora e Zotit u ndodh mbi Eliseun.

16. Atëherë ai tha: "Kështu flet Zoti: "Gërmoni shumë gropa në këtë luginë".

17. Sepse kështu thotë Zoti: "Ju nuk do të shihni as erë, as shi; megjithatë kjo luginë do të mbushet me ujë; dhe do të pini ju, bagëtia juaj dhe kafshët tuaja të transportit.

18. Por kjo është akoma pak në sytë e Zotit, sepse ai do t'ju japë në dorë edhe Moabin.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 3