Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 11:3-12 Bibla Shqip (ALBB)

3. Mbeti, pra, i fshehur gjashtë vjet në shtëpinë e Zotit me të, ndërsa Athaliah mbretëronte mbi vendin.

4. Vitin e shtatë Jehojada dërgoi të thërrasë komandantët e qindësheve të rojeve personale dhe të rojeve dhe i solli pranë vetes në shtëpinë e Zotit; ai lidhi një besëlidhje me ta, i vuri të betohen në shtëpinë e Zotit dhe u tregoi birin e mbretit.

5. Pastaj i urdhëroi, duke thënë: "Kjo është ajo që ju do të bëni: një e treta e atyre prej jush që hyjnë në shërbim ditën e shtunë, ka për të ruajtur shtëpinë e mbretit;

6. një e treta portën e Surit dhe një e treta portën prapa rojeve. Ju do të ruani shtëpinë, duke ndaluar hyrjen në të.

7. Dy pjesët e tjera prej jush, domethënë tërë ata që e lënë shërbimin ditën e shtunë, kanë për të ruajtur shtëpinë e Zotit rreth mbretit.

8. Ju do të viheni rreth mbretit, secili me armët e tij në dorë; dhe kushdo që do të kërkojë të futet në radhët tuaja, do të vritet. Ju do të jeni me mbretin qoftë kur del, qoftë kur hyn".

9. Kështu komandantët e qindësheve vepruan pikërisht ashtu si kishte urdhëruar prifti Jehojada. Secili mori njerëzit e tij, ata që hynin në shërbim ditën e shtunë dhe ata që linin shërbimin ditën e shtunë, dhe shkuan te prifti Jehojada.

10. Prifti u dha komandantëve të qindësheve shtizat dhe mburojat që i kishte pasur mbreti David dhe që ishin në shtëpinë e Zotit.

11. Rojet, secili me armën e tij në dorë, u vendosën në krahun jugor të tempullit deri në krahun e tij verior, pranë altarit dhe tempullit, rreth mbretit.

12. Pastaj Jehojada e çoi jashtë birin e mbretit, i vuri mbi kokë diademën dhe i dorëzoi ligjin. E shpallën mbret dhe e vajosën; pastaj duartrokitën dhe thirrën: "Rroftë mbreti!".

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 11