Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

2 i Mbretërve 10:22-35 Bibla Shqip (ALBB)

22. Jehu i tha rojtarit të rrobave: "Nxirri jashtë rrobat për të gjithë adhuruesit e Baalit". Kështu ai i nxori rrobat për ta.

23. Atëherë Jehu, bashkë me Jehonadabin, birin e Rekabit, hyri në tempullin e Baalit dhe u tha adhuruesve të Baalit: "Kërkoni mirë dhe shikoni që këtu të mos ketë asnjë shërbëtor të Zotit, por vetëm adhurues të Baalit".

24. Kështu ata hynë për të ofruar flijime dhe holokauste. Jehu kishte vënë jashtë tempullit tetëdhjetë burra, të cilëve u kishte thënë: "Në rast se dikush lë të ikë një njeri të vetëm nga njerëzit që kam lënë në duart tuaja, do ta paguajë me jetën e tij jetën e atij që ka ikur".

25. Kështu, sa mbaroi oferta e holokaustit, Jehu u dha këtë urdhër rojeve dhe kapitenëve: "Hyni, vritni dhe mos lini që asnjë t'ju ikë!". Prandaj ata i kaluan në majë të shpatës, pastaj rojet dhe kapitenët i hodhën jashtë dhe depërtuan në pjesën e brendshme të tempullit të Baalit;

26. pastaj çuan jashtë shtyllat e shenjta të tempullit të Baalit dhe i dogjën.

27. Pastaj shkatërruan statujën e Baalit dhe shembën tempullin e tij, duke e katandisur në një vend ku grumbullohen plehrat e kështu mbetet edhe sot e kësaj dite.

28. Kështu Jehu bëri që të zhduket Baali nga Izraeli;

29. megjithatë ai nuk u tërhoq nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilët e kishte bërë të kryente mëkate Izraelin, domethënë nga viçat e artë që ishin në Bethel dhe në Dan.

30. Prandaj Zoti i tha Jehut: "Me qenë se ke vepruar mirë, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e mi, dhe i ke bërë shtëpisë së Ashabit të gjitha atë që kisha në zemër, bijtë e tu do të ulen mbi fronin e Izraelit deri në brezin e katërt".

31. Por Jehu nuk u kujdesua të ndiqte me gjithë zemër ligjin e Zotit, Perëndisë së Izraelit; në fakt ai nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, me të cilat e kishte bërë Izraelin të mëkatonte.

32. Në atë kohë Zoti filloi t'i presë disa pjesë të Izraelit; në fakt Hazaeli i mundi izraelitët gjatë gjithë kufirit të tyre:

33. nga Jordani drejt lindjes, pushtoi tërë vendin e Galaadit, gaditët, rubenitët dhe manasitët; nga Aroeri, që është afër përroit të Amonit, deri në Galaad dhe Bashan.

34. Pjesa tjetër e bëmave të Jehut, tërë ato që bëri dhe të gjitha trimëritë e tij a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

35. Pastaj Jehun e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri Jehoahazi.

Lexoni kapitullin e plotë 2 i Mbretërve 10