Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Samuelit 13:2-12 Bibla Shqip (ALBB)

2. ai zgjodhi tre mijë ushtarë të Izraelit: dy mijë rrinin me të në Mikmash dhe në krahinën malore të Betelit; dhe një mijë me Jonathanin në Gibeah të Beniaminit; e ktheu prapa pjesën tjetër të popullit, secili shkoi në çadrën e vet.

3. Jonathani e mundi garnizonin e filistenjve që ndodhej në Geba, dhe filistenjtë e mësuan këtë ngjarje. Atëherë Sauli urdhëroi që t'u binin borive në tërë vendin, duke thënë: "Le ta dinë hebrenjtë!".

4. Dhe në tërë Izraelin filluan të thonë: "Sauli mundi garnizonin e filistenjve dhe Izraeli tani urrehet nga filistenjtë". Kështu populli u thirr në Gilgal për të shkuar pas Saulit.

5. Edhe filistenjtë u mblodhën për të luftuar kundër Izraelit, me tridhjetë mijë qerre, gjashtë mijë kalorës dhe shumë njerëz, si rëra në bregun e detit. Ata u nisën pra, dhe u vendosën në Mikmash, në lindje të Beth-Avenit.

6. Kur izraelitët e panë se ishin në rrezik (pse populli u gjend ngushtë), u fshehën në shpella, në gëmusha, ndër shkëmbinj, në guva dhe në hauze.

7. Disa Hebrenj kaluan Jordanin për të vajtur në vendin e Gadit dhe të Galaadit. Sauli ishte akoma në Gilgal dhe tërë populli shkonte pas tij duke u dridhur.

8. Ai priti shtatë ditë sipas kohës së caktuar nga Samueli; por Samueli nuk po vinte në Gilgal dhe populli kishte filluar të shpërndahej larg tij.

9. Atëherë Sauli tha: "Më sillni holokaustin dhe flijimet e falënderimit". Pastaj ofroi holokaustin.

10. Sapo kishte mbaruar së ofruari holokaustin, kur erdhi Samueli; dhe Sauli i doli përpara për ta përshëndetur.

11. Por Samueli i tha: "Çfarë bëre kështu?". Sauli u përgjigj: "Kur pashë që populli po shpërndahej larg meje, që ti nuk kishe arritur ditën e caktuar dhe që filistenjtë po mblidheshin në Mikmash, thashë me vete:

12. "Tani filistenjtë do të më sulen në Gilgal dhe unë akoma nuk i jam lutur Zotit". Prandaj e mblodha veten dhe ofrova olokastin".

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Samuelit 13