Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 8:36-50 Bibla Shqip (ALBB)

36. ti dëgjoji nga qielli, fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd të Izraelit, duke u treguar rrugën e mirë nëpër të cilën duhet të ecin, dhe dërgo shiun mbi tokën që i ke dhënë si trashëgimi popullit tënd.

37. Kur vendi të preket nga zia e bukës ose murtaja, nga ndryshku apo nga bloza, nga një dyndje karkalecash dhe krimbash, kur armiku ta rrethojë popullin tënd në vendin e qyteteve të tua, kur të shpërthejë një fatkeqësi apo një epidemi çfarëdo,

38. çdo lutje, çdo kërkesë që do të të drejtohet nga çfarëdo personi apo nga tërë populli yt i Izraelit, kur secili të ketë pranuar plagën e zemrës së tij dhe të ketë shtrirë duart në drejtim të këtij tempulli,

39. ti dëgjoje nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe fal, ndërhy dhe jepi secilit sipas sjelljes së tij, ti që njeh zemrën e secilit; (në të vërtetë vetëm ti ua njeh zemrën gjithë bijve të njerëzve),

40. me qëllim që ata të kenë frikë prej teje tërë kohën që do të jetojnë në vendin që u ke dhënë etërve tanë.

41. Edhe i huaji, që nuk i përket popullit tënd të Izraelit, kur të vijë nga një vend i largët për shkak të emrit tënd,

42. (sepse do të dëgjohet të flitet për emrin tënd të madh, për dorën tënde të fuqishme dhe për krahun tënd të shtrirë) kur të vijë të të lutet duke t'u drejtuar nga ky tempull,

43. ti dëgjo nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe jepi të huajit tërë ato që kërkon, me qëllim që tërë popujt e dheut të njohin emrin tënd dhe kështu të kenë frikë prej teje, ashtu siç bën populli yt i Izraelit, dhe të dinë që emri yt përmendet në këtë tempull që kam ndërtuar.

44. Kur populli yt të dalë në luftë kundër armikut të tij, duke ndjekur rrugën që i tregove, në rast se i luten Zotit dhe duke iu drejtuar qytetit të zgjedhur prej teje dhe tempullit që ndërtova në emrin tënd,

45. dëgjo nga qielli lutjen dhe kërkesën e tyre dhe përkrahe çështjen e tyre.

46. Kur të mëkatojnë kundër teje (sepse nuk ka njeri që nuk mëkaton) dhe ti, i zemëruar me ta, do t'i braktisësh në dorë të armikut dhe ai do t'i shpërngulë në vendin e tij, afër apo larg,

47. në rast se në vendin ku janë shpërngulur vijnë në vete, në rast se kthehen te ti dhe të luten nga vendi ku i kanë prurë si robër dhe thonë: "Kemi mëkatuar, kemi vepruar në mënyrë të padrejtë, kemi bërë të keqen",

48. në rast se kthehen nga ana jote me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt në vendin e armiqve që i kanë shpërngulur dhe të luten duke u kthyer nga vendi që ti u ke dhënë etërve të tyre, nga qyteti që ti ke zgjedhur dhe nga tempulli që unë kam ndërtuar në emrin tënd,

49. ti dëgjo nga qielli, nga vendbanimi yt, lutjen dhe kërkesën e tyre dhe përkrahe çështjen e tyre,

50. dhe fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje për të gjitha shkeljet që ka bërë kundër teje dhe bëj që të gjejnë mëshirë pranë atyre që i kanë shpërngulur, me qëllim që këta të fundit të tregohen të mëshirshëm me ta,

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 8