Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

1 i Mbretërve 2:30-38 Bibla Shqip (ALBB)

30. Kështu Benajahu hyri në tabernakullin e Zotit dhe i tha Joabit: "Dil jashtë!". Ai u përgjigj: "Jo, dua të vdes këtu!". Benajahu ia njoftoi ngjarjen mbretit, duke thënë: "Kështu foli Joabi dhe kështu m'u përgjigj".

31. Atëherë mbreti tha: "Bëj ashtu si të ka thënë ai: godite dhe varrose; kështu do të largosh prej meje dhe prej shtëpisë së atit tim gjakun që Joabi derdhi pa shkak.

32. Kështu Zoti do të hedhë mbi kokën e tij gjakun që ka derdhur, duke goditur dy njerëzit më të mirë dhe më të drejtë se ai dhe që i vrau me shpatë, pa dijeninë e atit tim David; është fjala për Abnerin, birin e Nerit, komandant i ushtrisë së Izraelit, dhe për Amasan, birin e Jetherit, komandant i ushtrisë së Judës.

33. Gjaku i tyre do të bjerë mbi kokën e Joabit dhe mbi kokën e pasardhësve të tij përjetë, por do të ketë paqe për gjithmonë nga ana e Zotit për Davidin, për pasardhësit e tij, për shtëpinë e tij dhe për fronin e tij".

34. Atëherë Benajahu, bir i Jehojadit, shkoi, e goditi dhe e vrau: dhe Joabi u varros në shtëpinë e tij, në shkretëtirë.

35. Në vend të tij mbreti caktoi si komandant të ushtrisë Benajahun, birin e Jehojadit, dhe vuri priftin Tsadok në vend të Abiatharit.

36. Pastaj mbreti dërgoi të thërrasin Shimein dhe i tha: "Ndërto një shtëpi në Jeruzalem dhe atje do të banosh, nuk do të dalësh më për të shkuar andej e këtej.

37. Ditën që ke për të dalë dhe ke për të kaluar përruan Kidron, dije me siguri që ke për të vdekur; gjaku yt do të bjerë mbi kokën tënde".

38. Shimei iu përgjigj kështu mbretit: "Mirë; shërbëtori yt do të bëjë ashtu si ka thënë mbreti, zotëria im. Kështu Shimei qëndroi në Jeruzalem për një kohë të gjatë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 i Mbretërve 2