Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zbulesa 1:9-20 Bibla Shqip (ALBB)

9. Unë, Gjoni, që jam edhe vëllai juaj dhe pjesëtar bashkë me ju në pikëllimin, në mbretërinë dhe në durimin e Jezu Krishtit, isha në ishullin që quhet Patmos, për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë e Jezu Krishtit.

10. Isha në Frymë ditën e Zotit dhe dëgjova pas meje një zë të madh si nga një bori,

11. që thoshte: ''Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit, dhe çfarë sheh, shkruaji në një libër dhe ua dërgo shtatë kishave që janë në Azi: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodice''.

12. Dhe u solla të shoh zërin që foli me mua. Dhe, si u solla, pashë shtatë shandanë ari

13. dhe, në mes të shtatë shandanëve, një të ngjashëm me një Bir njeriu, të veshur me një petk të gjatë deri te këmbët dhe ngjeshur me një brez ari në gjoks.

14. Dhe kryet e tij dhe flokët e tij ishin të bardhë si lesh i bardhë, si bora, dhe sytë e tij i ngjanin një flake zjarri.

15. Dhe këmbët e tij ngjanin me bronz të kulluar, si të skuqur në furrë dhe zëri i tij si zë shumë ujërash.

16. Dhe kishte në dorën e tij të djathtë shtatë yje dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me dy tehe, dhe fytyra e tij si dielli që ndrin me forcën e tij.

17. Dhe kur e pashë, rashë para këmbëve të tij si i vdekur. Dhe ai vuri dorën e tij të djathtë mbi mua, duke më thënë: ''Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit,

18. dhe i gjalli; isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve, amen; dhe unë i kam çelësat e vdekjes e të Hadesit.

19. Shkruaj, pra, gjërat që pe, ato që janë dhe ato që do të ndodhin pas atyre,

20. misterin e të shtatë yjeve që ti pe në të djathtën time, dhe të shtatë shandanëve prej ari. Të shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, dhe të shtatë shandanët që pe janë shtatë kishat''.

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 1