Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 7:12-29 Bibla Shqip (ALBB)

12. Por Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dhe dërgoi atje herën e parë etërit tanë.

13. Herën e dytë Jozefi u tregoi që ta njihnin vëllezërit e tij dhe Faraonit iu njoftua farefisnia e Jozefit.

14. Atëherë Jozefi dërgoi ta thërresin atin e vet Jakobin dhe gjithë farefisin e vet, gjithsej shtatëdhjetë e pesë veta.

15. Jakobi zbriti në Egjipt, ku vdiq ai dhe etërit tanë.

16. Ata pastaj i mbartën në Sikem dhe i varrosën në varrin që Abrahami pati blerë me argjend nga bijtë e Emorit, ati i Sikemit.

17. Por, ndërsa po afrohej koha e premtimit që Perëndia i ishte betuar Abrahamit, populli u shtua dhe u shumua në Egjipt,

18. derisa doli në Egjipt një mbret tjetër që nuk e kishte njohur Jozefin.

19. Ky, duke vepruar me ligësi kundër skotës sonë, i keqtrajtoi etërit tanë derisa t'i ekspozojnë foshnjat e tyre, që të mos mbeteshin gjallë.

20. Në atë kohë lindi Moisiu, dhe ishte i bukur në sytë e Perëndisë; ai u ushqye për tre muaj në shtëpinë e të atit.

21. Dhe kur u ekspozua, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si birin e vet.

22. Kështu Moisiu u arsimua me gjithë diturinë e egjiptasve dhe ishte i pushtetshëm në fjalë e në vepra.

23. Po kur arriti në moshën dyzet vjeçare, i erdhi në zemër të shkojë e të vizitojë vëllezërit e tij: bijtë e Izraelit.

24. Kur pa se dikujt po i bëhej një padrejtësi, e mbrojti dhe ia mori hakun të shtypurit, duke vrarë egjiptasin.

25. Dhe ai mendonte se vëllezërit e tij do ta kuptonin se Perëndia do t'u jepte çlirimin me anë të tij, por ata nuk e kuptuan.

26. Të nesërmen ai u duk në mes tyre, ndërsa po ziheshin dhe i këshilloi për paqe, duke thënë: "O burra, ju jeni vëllezër, pse ia bëni me të padrejtë njëri-tjetrit?".

27. Por ai që ia bënte me të padrejtë fqinjit të vete shtyu, duke thënë: "Kush të ka vënë ty të parë dhe gjykatës mbi ne?

28. Do të më vrasësh mua, ashtu si vrare dje egjiptasin?".

29. Për shkak të këtyre fjalëve Moisiu iku dhe banoi si i huaj në vendin e Midianit, ku i lindën dy bij.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 7