Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 27:32-44 Bibla Shqip (ALBB)

32. Atëherë ushtarët i prenë litarët e sandallit dhe e lanë të bjerë jashtë.

33. Dhe në pritje që të bëhej ditë, Pali i nxiti të gjithë të hanin diçka, duke thënë: ''Sot është e katërmbëdhjeta ditë që, duke pritur, jeni të uritur, pa ngrënë asgjë.

34. Prandaj ju këshilloj të hani diçka, sepse kjo është për shpëtimin tuaj; sepse as edhe një fije floku nga kokat tona nuk do të bjerë''.

35. Si tha këto, mori bukë, iu falënderua Perëndisë përpara të gjithëve, pastaj e theu dhe filloi të hajë.

36. Atëherë të gjithë, si morën zemër, morën edhe ata nga ushqimi.

37. Dhe në anijen ne ishim gjithsej dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë veta.

38. Dhe mbasi hëngrën sa u ngopën, e lehtësuan anijen duke hedhur grurin në det.

39. Dhe kur u gdhi, nuk e njihnin dot vendin, por vunë re një gji me një breg dhe vendosën ta shtyjnë anijen aty, po të mundnin.

40. I zgjidhën spirancat dhe i lanë të fundosen në det, duke zgjidhur në të njëjtën kohë të lidhurat e timonit; pastaj, si e ngritën velën kryesore nga era, u drejtuan për te bregu.

41. Por, mbasi ranë në një cekëtinë që kishte deti nga të dy anët, anija ngeci dhe mbeti me bashin të zënë e të palëvizshëm, ndërsa kiçi po shkallmohej nga furia e valëve.

42. Ushtarët ishin të mendimit t'i vritnin robërit, që asnjë të mos ikte me not.

43. Por centurioni, duke dashur të shpëtojë Palin, ua largoi mendimin për këtë propozim dhe u dha urdhër atyre që dinin të notonin të hidheshin të parët në det dhe të dilnin në tokë;

44. pastaj të tjerët, kush mbi dërrasa, kush mbi pjesë të anijes; dhe kështu ndodhi që të gjithë mundën të shpëtojnë në tokë.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 27