Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Veprat e Apostujve 11:1-17 Bibla Shqip (ALBB)

1. Ndërkaq apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude morën vesh se edhe johebrenjtë kishin pranuar fjalën e Perëndisë.

2. Dhe, kur Pjetri u ngjit në Jeruzalem, ata që ishin rrethprerë haheshin me të,

3. duke thënë: ''Ti hyre në shtëpi të njerëzve të parrethprerë dhe hëngre me ta!''.

4. Por Pjetri, duke nisur nga fillimi, u shpjegoi atyre me radhë ngjarjet duke thënë:

5. ''Unë po lutesha në qytetin e Jopës, kur u rrëmbeva në ekstazë dhe pashë një vegim: një send, që i ngjante një çarçafi të madh të kapur në të katër cepat, po zbriste si të ulej poshtë prej qiellit dhe arriti deri tek unë.

6. Duke shikuar me vëmendje brenda, dallova dhe pashë katërkëmbësha, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë të qiellit.

7. Dhe dëgjova një zë që më thoshte: "Pjetër, çohu, ther dhe ha!".

8. Por unë thashë: "Kurrsesi, o Zot, sepse nuk më ka hyrë kurrë në gojë asgjë e papastër ose e ndotur".

9. Por zëri m'u përgjigj për të dytën herë nga qielli: "Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra!".

10. Dhe kjo ndodhi tri herë; pastaj gjithçka u tërhoq përsëri në qiell.

11. Në po atë moment tre njerëz, që i pata dërguar në Cezare, u paraqitën në shtëpinë ku ndodhesha unë.

12. Dhe Fryma më tha të shkoj me ta, pa pasur kurrfarë ngurrimi. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër, dhe kështu hymë në shtëpinë e atij njeriu.

13. Ai na tregoi se si kishte parë një engjëll që u paraqit në shtëpinë e tij dhe i tha: "Dërgo njerëz në Jopë dhe thirre Simonin, të mbiquajtur Pjetër.

14. Ai do të të thotë fjalët, me anë të të cilave do të shpëtohesh ti dhe gjithë shtëpia jote".

15. Sapo kisha filluar të flas, kur Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta, sikurse kishte zbritur në fillim mbi ne.

16. Atëherë m'u kujtua fjala e Zotit që thoshte: "Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë".

17. Në qoftë se Perëndia, pra, u dha atyre të njëjtën dhuratë që kemi marrë ne, që besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të mund t'i kundërvihesha Perëndisë?''.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat e Apostujve 11