Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Mateu 7:7-26 Bibla Shqip (ALBB)

7. Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju çelet.

8. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t'i çelet atij që troket.

9. A ka midis jush ndonjë njeri që, po t'i kërkojë i biri bukë, t'i japë një gur?

10. Ose po t'i kërkojë një peshk, t'i japë një gjarpër?

11. Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t'u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t'u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.

12. Gjithçka, pra, që ju dëshironi t'ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët.

13. Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të.

14. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!

15. Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.

16. Ju do t'i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat?

17. Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija.

18. Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira.

19. Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr.

20. Ju, pra, do t'i njihni profetët nga frytet e tyre.

21. Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.

22. Shumë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?".

23. Dhe atëherë unë do t'u sqaroj atyre: "Unë s'ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi".

24. Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.

25. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.

26. Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë.

Lexoni kapitullin e plotë Mateu 7