27. Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: ''Nuk e dimë''. Atëherë ai u tha atyre: ''As unë nuk do t'ju them me ç'pushtet i bëj këto gjëra".
28. ''Ç'mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: "Bir, shko sot të punosh në vreshtin tim";
29. por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi.
30. Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj", por nuk shkoi.
31. Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?''. Ata i thanë: ''I pari''. Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve.
32. Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t'i besuar''.
33. ''Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj.
34. Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij,
35. por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë.
36. Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë.
37. Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt!".
38. Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njëri-tjetrit: "Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij".