Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Luka 10:21-33 Bibla Shqip (ALBB)

21. Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frymë dhe tha: ''Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu.

22. Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t'ia zbulojë''.

23. Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: ''Lum sytë që shohin ato që shihni ju,

24. sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan''.

25. Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: ''Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?''.

26. Dhe ai tha: ''Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?''.

27. Ai duke u përgjigjur tha: ''Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten''.

28. Jezusi i tha: ''U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh''.

29. Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: ''Po kush është i afërmi im?''.

30. Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Një burrë zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.

31. Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër.

32. Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.

33. Por një samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 10