Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Hebrenjve 7:14-28 Bibla Shqip (ALBB)

14. sepse dihet se Perëndia ynë lindi nga fisi i Judës, për të cilin Moisiu nuk tha asgjë lidhur me priftërinë.

15. Dhe kjo bëhet edhe më e qartë, në qoftë se del një prift tjetër pas shëmbëllimit të Melkisedekut,

16. që nuk u bë i tillë në bazë të ligjit të porosisë së mishit, po në bazë të fuqisë të jetës së pashkatërrueshme.

17. Sepse Shkrimi dëshmon: ''Ti je prift për jetë të jetës, sipas rendit të Melkisedekut''.

18. Në këtë mënyrë bie poshtë urdhërimi i mëparshëm, për shkak të dobësisë dhe të padobisë së tij,

19. sepse ligji nuk mbaroi asnjë lloj pune, po futi një shpresë më të mirë, me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë.

20. Dhe kjo nuk u bë pa betim. Sepse ata bëheshin priftërinj pa bërë betim,

21. (ndërsa ky në bazë të betimit nga ana e atij që i tha: ''Perëndia u betua dhe nuk do të pendohet: Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut'').

22. Kështu Jezusi u bë garant i një besëlidhjeje shumë më të mirë.

23. Për më tepër ata qenë bërë priftërinj në numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin përgjithnjë,

24. kurse ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme,

25. prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.

26. Sepse ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej,

27. i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten.

28. Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi, por fjala e betimit, që vjen pas ligjit, vë Birin që është i përkryer në jetë të jetës.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 7