Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Hebrenjve 13:12-25 Bibla Shqip (ALBB)

12. Prandaj edhe Jezusi, për të shenjtëruar popullin me gjakun e vet, pësoi jashtë derës (së qytetit).

13. Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij.

14. Sepse nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.

15. Me anë të tij, pra, le t'i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.

16. Dhe mos harroni bamirësinë dhe t'u jepni ndihmë të tjerëve, sepse Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla.

17. Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj, si ata që duhet të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psherëtima, sepse kjo nuk do t'ju sillte dobi.

18. Lutuni për ne, sepse ne besojmë se kemi ndërgjegje të mirë, duke dashur të sillemi mirë në çdo gjë.

19. Dhe ju bëj thirrje edhe më shumë ta bëni këtë, që unë të kthehem te ju sa më parë.

20. Dhe Perëndia e paqes, që e ngriti nga të vdekurit, me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar, Bariun e madh të dhenve, Perëndinë tonë Jezu Krisht,

21. ju bëftë të përsosur për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij, duke punuar te ju atë që është e pëlqyer përpara tij, me anë të Jezu Krishtit, të cilit i qoftë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.

22. Dhe ju lutem, o vëllezër, ta mbani këtë fjalë këshillimi, sepse ju shkrova shkurt.

23. Ta dini se vëllai Timoteu u lirua nga burgu. Nëse mbërrin së shpejti, unë do të vij te ju bashkë me të.

24. Përshëndetni të gjithë të parët tuaj dhe gjithë shenjtorët! Ju përshëndesin ata të Italisë.

25. Hiri qoftë mbi ju të gjithë! Amen.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 13