Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 12:2-15 Bibla Shqip (ALBB)

2. Dhe aty i shtruan një darkë: Marta shërbente dhe Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të.

3. Atëherë Maria mori një libër vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji.

4. Atëherë një nga dishepujt e tij, Juda Iskarioti, bir i Simonit, ai që do ta tradhtonte, tha:

5. ''Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t'u jepej fitimi të varfërve?''.

6. Por ai e tha këtë, jo se kujdesej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç'shtinin atje brenda.

7. Jezusi, pra, tha: ''Lëre! Ajo e ka ruajtur për ditën e varrimit tim.

8. Të varfrit në fakt, i keni gjithmonë me ju, por mua nuk më keni gjithmonë''.

9. Ndërkaq një turmë e madhe judenjsh mori vesh se ai ishte atje dhe erdhi jo vetëm për shkak të Jezusit, por edhe për të parë Llazarin, te cilin ai e kishte ngjallur prej së vdekurish.

10. Atëherë krerët e priftërinjve vendosën ta vrasin edhe Llazarin,

11. sepse për shkak të tij, shumë veta braktisnin judenjtë dhe besonin në Jezusin.

12. Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem,

13. mori degë palmash dhe i doli para, duke thirrur: ''Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!''.

14. Dhe Jezusi gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar:

15. ''Mos druaj, o bijë e Sionit; ja, mbreti yt po vjen duke kalëruar mbi një kërriç gomareje!''.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 12